Abazaj: Rëndësi ka që jam në kombëtare, kush punon i ka dyert të hapura

Kristal Abazaj ka thyer një tabu, sepse ka kapur Kombëtaren duke qenë pjesë e Luftëtarit. Nëse deri tani trajnerët e Kombëtares preferonin vetëm futbollistë të Skënderbeut, apo portierë nga Superiorja, tashmë me ekipin A bashkohet edhe sulmuesi i Luftëtarit, i cili bën një hap gjigant në karrierë, në pritje të transferimit te Skënderbeu, ose jashtë Shqipërie, sepse me shumë gjasa deri në maj do të marrë disa oferta joshëse dhe Skënderbeu nuk do ta pengojë, nëse paguhet çmimi i duhur.

“Unë kam qenë pjesë e Shpresës dhe e prisja ftesën, por kur e morëm vesh që erdhi për kombëtaren A ishte një ndjenjë e papërshkueshme. Ndihem shumë i vlerësuar”, shprehet Abazaj, duke folur nga Durrësi, ku është i grumbulluar me Kombëtaren e Panuçit.

Për Abazajn rëndësi ka që tashmë Panuçi sheh edhe në klubet e ashtuquajtura të vogla: “E rëndësishme është që jemi këtu, konkurrenca të bën mirë. Lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë ndoshta kanë një ritëm më të lartë, por s’mund të them se kanë ndonjë avantazh tjetër. Nuk kemi biseduar me trajnerin, por e dimë se çfarë kërkon Panuçi. Seanca e parë ishte më shumë për t’u njohur me ekipin. Ne u munduam të jepnim 100%”.

Kombëtarja A, krejt ndryshe nga Shpresat: “U-21 ndryshon shumë nga A. Atje është më e thjeshtë përshtatja, ndërsa këtu duhet më shumë kohë dhe mbështetje nga lojtarët me më shumë eksperiencë. Andi, Etriti, Mërgimi na kanë ndihmuar shumë që të përshtatemi. Luajmë apo jo, ky vendim i përket trajnerit. Po të punosh i ke dyert e hapura në kombëtare.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *