Në vitin 2013 Mançester Junajtid bleu një djalosh të ri nga Kardifi për 11.8 milionë euro: quhej Uilfrid Zaha, ishte një anësor ofensiv me cilësi të shkëlqyera, që shihej si e ardhmja e kombëtares angleze.
Të Junajtid nuk i dhanë kohë dhe besim dhe djaloshi nga Bregu i Fildishtë u kthye te Kristal Palas (është rritur në këtë klub) , fillimisht në huazim e më pas përfundimisht.
Në Londër u kthye në lider, aq sa në 4 sezone ka qenë i paprekshëm në formacion, ka shënuar 22 gola e dhënë shumë asiste dhe ka qenë jetik. Statistikat flasin qartë, me të në fushë Palas ka 1.6 pikë për ndeshje, ndërsa në 10 ndeshje ku Zaha ka munguar pikët e marra janë 0!
Tani 25-vjeçari, i transformuar në qendërsulmues, i cili ka zgjedhur të luajë për Bregun e Fildishtë sepse Anglia nuk e përfilli, e ka kuptuar se është mbret te Palas dhe nuk ka arsye të lëvizë.
Rinovim milioner sot, i dyti brenda 1 viti: kontratë deri në 2023, me 130 mijë sterlina në javë, pak a shumë 5 milionë sterlina në sezon, shifra kolosale për një klub si Palas, që nuk është Arsenali apo Junajtid. Megjithatë, për të mbajtur larg klubet që kërkojnë sulmuesin e talentuar duhen sakrifica të tilla, që ia vlejnë, sepse Zaha është arsyeja pse Palas nuk ra nga Premier Liga dy sezone më parë.
“Jam shumë i kënaqur. Doja të mbaroja punë dhe të fokusohesha te kampionati. Kam pasur gjithmonë besim tek ekipi, por lojtarët e afruar na kanë bërë edhe më të fortë”, u shpreh sulmuesi 25-vjeçar, i cili vjet arriti të gjente rrugën e rrjetës nëntë herë. Edhe në klub janë të kënaqur për arritjen e marrëveshjes, gjë që e ka shprehur edhe presidenti Stiv Parish: “Zaha është rritur te Palas, kjo është shtëpia e tij dhe është je ditë e madhe për të gjithë ne. Nuk ekziston asnjë çmim që do na joshte për ta shitur”.