Vllaznia po tregohet aktive në merkato këtë periudhë dhe së fundmi ka nënshkruar me qendërmbrojtësin Aleksandar Ristevski. Futbollisti 29-vjeçar vjet ishte pjesë e Pobedës në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë do të provojë Kategorinë Superiore. Trajneri Mirsad Jonuz e njeh futbollistin në fjalë dhe do e ketë nën urdhra për sezonin e ri.
NJOFTIMI – KF Vllaznia ka bërë realitet ditën e sotme një tjetër afrim në merkato. Drejtuesit teknik kanë rënë dakord që futbollisti maqedonas Aleksandar Ristevski të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm duke plotësuar kësisoj nevojat që ajo ka për përforcime në repartin e mbrojtjes.
Për rrjedhojë administratori i klubit z.Suad Lici ka firmosur sot kontratën me këtë futbollist duke e bërë tashmë pjesë të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm si dhe do të jetë pjesë e saj edhe për periudhën e Kupave të Europës nëse ajo arrin një objektiv të tillë.
KF Vllaznia i uron mirëseardhjen futbollistit Aleksandar Ristevski dhe premton që pas tij të ketë edhe të tjerë lojtarë që do të vishen kuqeblu sepse pretendimet tona janë për ndërtimin e një ekipi cilësor për sezonin e ri futbollistik.