ZYRTARE/ Vllaznia dhe Shkëndija, debutim historik në Champions League për të rinjtë

0

Vllaznia bëhet zyrtarisht ekipi i parë shqiptar që merr pjesë në një kompeticion evropian për të rinj. Kampionët e Shqipërisë për moshën U-19 kanë hedhur hapin e madh dhe historik për futbollin e moshave në vendin tonë, pasi për herë të parë do të marrin pjesë në UEFA Youth League. Një turne i ngjashëm me Champions Leaguen e të rriturve, por organizohet për ekipet e të rinjve.

“Sport Ekspres” raportoi disa javë më parë se skuadra shkodrane e kishte marrë miratimin për të marrë pjesë në këtë turne, por tashmë ka ardhur edhe njoftimi zyrtar për pjesëmarrjen në sezonin 2017/18, sepse janë luajtur disa ndeshje play-off mbrëmë dhe janë qartësuar përfundimisht shumë gjëra, me Vllazninë që ka përfituar. Ekipi i drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri deri para pak ditësh, dhe tashmë nga Luan Zmijani, rreshtohet tashmë mes akademive më të rëndësishme të Europës.

SHKËNDIJA – Lajm i madh edhe për Shkëndijën e Tetovës, që si kampione e Maqedonisë për të rinj siguron të drejtën për të qenë pjesë e e fazës së grupeve të Champions League për të rinj, UEFA Youth League.

Është hera e parë në histori që kuqezinjtë do të luajnë në grupet e një kompeticioni europian. Ndeshjet e luajtura mbrëmë përcaktuan shumë gjëra dhe konfirmimi erdhi sot nga UEFA që përmes Federatës së Futbollit të Maqedonisë njoftoi se Shkëndija U-19,  si kampione e vendit, do të jetë pjesë e fazës së grupeve.

RREGULLORJA Shorti hidhet nesër (për grupet) dhe më 29 gusht (për Vllazninë e Shkëndijën) në Nion të Zvicrës, ndërsa ndeshjet e turit të parë janë në fund të shtatorit. Si Vllaznia, ashtu edhe Shkëndija, do të marrin pjesë në Domestic Champions Path, pra nga rruga e klubeve kampione që nuk janë në grupet e Champions League me ekipet e para. Kështu, grupet e Champions League për të rritur do të luhen edhe për të rinj, në degëzim më vete, ndërsa klubet pa përfaqësim të rriturish në Champions luajnë mes tyre dy ture me vajtje-ardhje, para se të bashkohen me klubet e Champions League Path.

Ndeshjet janë vajtje-ardhje me sistem eliminimi dhe Vllaznia e Shkëndija kanë nevojë për fat, sepse rivaliteti është i jashtëzakonshëm, mjaft të kujtohet një detaj: kampion në fuqi i Yout League është Red Bull Salcburgu, që vjet e nisi pikërisht nga Domestic Champions Path, rruga e kampionëve që nuk janë në Champions me të rriturit.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.