Franc Veliu nuk lëviz nga Flamurtari dhe sot ka ardhur edhe firma që e mban kuqezi të paktën edhe për një vit.
Mbrojtësi vlonjat, tashmë 29 vjeç, është një ndër produktet e Flamurtarit dhe ndër lojtarët më besnikë të këtij klubi, sepse ka luajtur gjithë karrierën në Vlorë, me përjashtim të sezonit 2015/16, kur u nda mes Kukësit e Partizanit.
Ish-lojtar i kombëtares, Veliu nuk provoi asnjëherë të luante jashtë Shqipërisë, duke preferuar Vlorën, ambient i vështirë dhe shpesh me trysni të padurueshme, por që Franci e ka duruar dhe tashmë vijon bashkëpunimin me Sinan Idrizin. Administratori kuqezi e ka thënë gjithnjë që nuk i largon lojtarët vlonjatë, por e vërteta është se nuk ka shumë cilësorë në qarkullim.
Veliu është vlonjati i vetëm që ka shanse të luajë titullar sezonin e ardhshëm te Flamurtari, sepse gjithë të tjerët janë lojtarë në moshë të re dhe ende pa eksperiencë.