Zyrtare: Talenti shkodran lë Zagrebin për Teutën

Siç ishte paralajmëruar ditët e fundit nga Sport Ekspres, tashmë ka marrë fund: Uendi Vecaj lë Dinamon e Zagrebit për të firmosur për Teutën.

Talenti shkodran në fund të verës së shkuar la Shkodrën për Zagrebin, me Dinamon që pagoi 20 mijë euro për ta bërë të vetin.

Një sezon me shumë punë e stërvitje dhe pak ndeshje zyrtare për Vecajn, që natyrisht në Kroaci mësoi shumë, por është 21 vjeç dhe i duhet të luajë futboll në nivele të larta, ndaj vendosi të kthehej në atdhe.

E kërkonin edhe Kukësi e Kastrioti, mëson Sport Ekspres, por në fund mesfushori ofensiv zgjodhi Teutën, ndikuar pa dyshim edhe nga menaxheri i tij, Alban Hasani. Drejtori i Akademisë Vllaznia ka vendosur ta çojë tek Teuta për hir të miqësisë që ka me presidentin Edmond Hasanbelliu, por duke preferuar edhe një klub që u jep shumë besim të rinjve, aq më shumë që Bledi Shkëmbi te Teuta do të bazohet tek shumë djem të rinj, pa pasur presionin për të luftuar për majat e renditjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *