Nuk ka rikthim në Kategoinë Superiore për Mentor Mazrekaj. Lojtari, vlerat e të cilit njihen mirë në Shqipëri, prej kohës kur luante me Partizanin, vendosi të qëndrojë në Kosovë.
29-vjeçari firmosi kontratë me klubin e Ferizaj, me klubin që trumbetoi me të madhe afrimin e sulmuesit të krahut. “BOMB: Mentor Mazrekaj në Ferizaj. Top futbollisti Kosovar, Mentor Mazrekaj eshtë transferi i ri i klubit tonë” shkruhej në faqen zyrtare të klubit, ku askush nuk tentoi ta fshihte entuziazmin.
Klubi i Superligës së Kosovës kujtonte se “Mazrekaj eshtë i njohur për futbolldashësit, pasi ka luajtur për disa skuadra, ku së fundmi ishte pjesë e Prishtinës, ndërsa më parë ka luajtur edhe me Partizanin në elitën e futbollit në Shqipëri”.
Duke theksuar cilësitë e padiskutueshme të futbollistit, për të cilin ishte interesuar edhe Kukësi, Ferizaj theksonte se “fjalët për Mazrekaj të janë të tepërta”, ndërsa njëkohësisht njoftoi se tashmë skuadra është e kompletuar dhe do të vazhdojë rrugën drejt objektivave të klubit. Pas tre javëve të para të Superligës së Kosovës, Ferizaj renditet në vendin e 10-të nga 12 skuadra, në kuotën e 3 pikëve.