Sreçko Katanec ka pranuar ofertën për të qenë trajneri i Irakut dhe ka nënshkruar për tre vite. Pagë e mirë për trajnerin slloven, i cili në të shkuarën ka qenë edhe një objektiv i Shqipërisë. Plot 1.2 milionë dollarë në vit do të përfitojë Katanec, i cili zëvendëson Basim Qasim.
“Nuk kam shkopin magjik, më duhet kohë për të përparuar”, është shprehur para mediave 55-vjeçari, i cili në të shkuarën ka luajtur si futbollist në Itali dhe Gjermani, ndërkohë që ka një karrierë të pasur si trajner.
“Kupa e Azisë është një fazë para kualifikueseve të Botërorit dhe nuk premtoj se do fitojmë. Objektivi im kryesor është që të sigurojmë kualifikimin në Botërorin e vitit 2022”, shtoi Katanec.
Iraku ka marrë pjesë vetëm një herë në Botëror, konkretisht në vitin 1986 në Meksikë, ndaj arritja e një objektivi të tillë do të ishte një sukses i madh.
Katanec së fundmi ka drejtuar Slloveninë, ndërkohë që më parë ka qenë edhe në krye të Maqedonisë dhe Emirateve të Bashkuara. Gjithashtu ka punuar edhe me klube si Olimpiakos dhe Gorica në Slloveni.