Zyrtare: Higuain firmos, prej sot është “anglez”

Gonzalo Higuain më në fund është zyrtarisht i Çelsit, duke shkuar në huazim për pjesën e mbetur të sezonit.

Sulmuesi 31-vjeçar kalon në Stamford Bridge pas disa muajsh në huazim te Milani, ku shënoi 8 gola, por pati shumë probleme dhe në javët e fundit dukej qartë që kërkonte të largohej.

Argjentinasi ka pasur një mesatare të jashtëzakonshme goli në karrierën e tij dhe ka fituar trofe me shumicë, ndaj Milani investoi shumë tek ai, por pak nga pak dashuria u zbeh dhe në dhjetor e tutje dukej qartë që po afronte divorci.

Pas bisedimesh të gjata, Çelsi arriti të bindte lojtarin, Milanin dhe Juventusin, duke bërë që trajneri Maurizio Sarri të bashkohet sërish me sulmuesin që kishte në Napoli në sezonin 2015/16, ku Higuain shënoi 36 gola, duke vendosur rekord.

Higuain do të mbajë fanellën me numrin 9 dhe në prezantim tha: “Kur m’u paraqit mundësia e kalimit te Çelsi duhej ta kapja patjetër. Është një skuadër që më ka pëlqyer gjithnjë, për historinë e madhe, stadiumin e mrekullueshëm dhe faktin që luan në Premier Ligë, ku kam dashur gjithnjë të luaj. Shpresoj t;ia shpërblej besimin Çelsit, duke shënuar shumë gola“.

Ndërkaq, drejtoresha Marina Granovskaia shtoi: “Gonzalo ishte synimi ynë numër një në merkaton e këtij janari dhe e ka treguar veten në nivele të larta, në çdo klub ku ka luajtur, përfshirë Napolin, ku ka punuar me trajnerin Sarri. Nuk ishte një marrëveshje e lehgtë, pasi kishte shumë palë të përfshira, por jemi të kënaqur që u realizua dhe presim me padurim të shohim impaktin që do të ketë Gonzalo në pjesën e dytë të sezonit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *