Ashtu siç ishte paralajmëruar, Flamurtari ka siguruar shërbimet e sulmuesit Agustin Torasa, i cili është zyrtarizuar sot nga klubi kuqezi me një postim në faqen zyrtare në Facebook. 29-vjeçari luajti me CA Mitre në divizionin e tretë argjentinas pas largimit nga Partizani, por nuk pati ndonjë shkëlqim aty, ndaj tashmë shpreson të kthehet në nivel të lartë në Shqipëri.
Bëhet fjalë për një përforcim shumë cilësor për vlonjatët, sepse Torasa ka lënë mbresa në një vit e gjysmë te Partizani, nga janari 2016 deri në gusht 2017.
Ndonëse nuk arriti të shpallej kampion, Partizani në kohën e Torasas ishte më i mirë i dekadës së fundit dhe ishte shumë pranë suksesit, ndërkohë që argjentinasi teknik u largua për shkak se Luçiano Moxhi i premtoi klubit lojtarë më cilësorë dhe më të mirë se Torasa. Më të lirë gjeti, por më cilësorë jo, fatkeqësisht për Partizanin.
Duhet theksuar se Torasa nuk shënon shumë, por vrapon pa fund dhe ka një teknikë superiore ndaj shumicës së futbollistëve shqiptarë. Jo rastësisht futbollisti shtatshkurtër ka luajtur rregullisht për shumë vite në Primera Division në Argjentinë, kampionat shumë i ashpër fizikisht dhe me nivel mjaft të lartë taktiko-teknik.