Më në fund, mbyllet historia e lodhshme që acaroi Milanin dhe gjithë tifozët kuqezinj: Xhanluixhi Donaruma qëndron te Milani dhe ka rinovuar kontratën me klubin milanez.
Numri 1 i “Djallit” ka firmosur rinovimin për 4 vite, me 6 milionë euro në sezon.
Vendimtar takimi në selinë e Milanit, mes Fasones, Mirabelit, portierit dhe familjes së tij.
Një goditje e madhe për Milanin, sidomos në aspektin e imazhit, edhe pse natyrisht në këtë mes del i fituar agjenti Mino Raiola, sepse merr kontratën që do për klientin e tij dhe sistemon te Milani edhe Antonio Donarumën, vëllain më pak të njohur të Xhixhios, që do të marrë 1 milion euro në sezon te kuqezinjtë.
Sipas mediave italiane, në kontratë është përfshirë edhe klauzola e prishjes së kontratës, 75 milionë euro, në rast se Milani nuk shkon në Champions League dhe Donaruma kërkon largimin.