Ashtu si pritej prej ditësh, Barcelona ka zyrtarizuar sot blerjen e parë që pas shitjes së Nejmarit, duke blerë mesfushorin Paulinjo për 40 milionë euro.
Braziliani, prej vitit 2015 te Guangzhu Evergrande në Kinë, ka qenë një objektiv i Barcelonës gjithë verën dhe tashmë klubi katalan ka kompletuar transferimin, ndoshta duke nuhatur rrezikun e mbetjes pa mesfushor, pasi Liverpuli është gati për betejë, kundër shitjes së Kutinjos.
Paulinjo, 29 vjeç, ka luajtur për një sezon e gjysmë në Angli, te Totenhemi, ndërsa më parë ka luajtur për shumë vite te Korintiansi dhe është pjesëtar i rregullt i kombëtares braziliane.
Guangzhu e bleu për rreth 13 milionë euro, ndërsa befason Barcelona, sepse nuk kuptohet mirë pse ka shpenzuar kaq shumë për një mesfushor që nuk është në fillim të karrierës.
Barcelona i ka vendosur një klauzolë prej 120 milionë eurosh mesfushorit, por zor se do t’i afrohet ndokush për t’ia rrëmbyer. Ndërkaq, në Spanjë vazhdojnë spekulimet se gjithë operacioni lidhet me faktin që kompania e presidentit Bartomeu po mundohet të fitojë një tender multimiliarder nga Evergrande, që po ndërton një arqipelag artificial në Kinë.