Po afron merkatoja e verës dhe natyrisht klubet e mëdhenj kanë piketuar talentet që kanë spikatur këtë sezon, ndaj qartësisht sytë janë edhe tek ylli i ri i Benfikës, Zhoao Feliks.
Autor i një sezoni spektakolar, sulmuesi i ri mahniti sidomos në sfidën e Europa League kundër Frankfurtit, ku shënoi 3 gola e dha një asist.
Vlera e tij në treg ka pasur rritje të frikshme dhe tashmë klube si Juventusi, Reali dhe anglezët e kanë në shënjestër.
Gjithsesi, duket se Benfika e ka kuptuar se mund ta çojë çmimin mbi 130 milionë euro dhe ka nisur bisedimet me talentin e vet për të rinovuar.
Bëhet fjalë për një kontratë me 2.5 milionë euro në sezon, që duket se ka kënaqur sulmuesin dhe agjentin e tij Zhorzh Mendesh. Gjithsesi, të jesh më i paguari te Benfika nuk është ndonjë arritje e madhe, sepse oferta për 19-vjeçarin pritet të jetë 2-3 herë më e lartë nga klubet e tjera.