Muaji janar ka patur shumë dritëhije te skuadra e Ilirisë së Fushë Krujës, pasi financat e munguara detyruan një pjesë të skuadrës që të bojkotonte stërvitjen. Ndërkohë që ky problem tashmë është zgjidhur dhe trajneri Fatmir Sala deklaron për SportEkspres.com se këtë javë merr fund ngërçi financiar, e nga ana e saj skuadra është duke vazhduar normalisht përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit.
“Në fillimin e këtij muaji ne patëm vështirësi në rifillimin e përgatitjeve për gjysmën e dytë të sezonit, pasi lojtarët kërkonin shlyerjen e pagesave të muajve të kaluar. Ky ngërç u zgjidh dhe presim këto dy-tre ditë që të zhbllokohet nga Thesari fondi i Bashkisë, ku skuadrës i janë akorduar më shumë se 100 milion lekë deri në muajin qershor 2019”, kështu theksoi në deklaratën e tij trajneri i Ilirisë, Fatmir Sala.
Por edhe pse me këtë lajm të mirë, skuadra e Fushë Krujës nuk ka qenë shumë aktive në merkato e ndeshje miqësore, fakt që edhe tekniku Sala e pranon. “Situata nuk ka qenë shumë e favorshme për përgatitjet tona, e duke shtuar edhe kushtet e rënduara atmosferike, jemi përgatitur me vështirësi. Kemi luajtur vetëm një miqësore me Tërbunin dhe në këtë periudhë është afruar futbollisti Skënder Lilaj nga Kastrioti, ndërkohë që në fundjavë kemi planifikuar një ndeshje miqësore me Erzenin”.
Iliria e Fushë Krujës bën pjesën në Grupin A të Kategorisë së Parë dhe pas 14 javëve të luajtura renditet në vendin e 8-të me 15 pikë, në zonën e mbijetesës në këtë kategori.
AGRON KAJA