Lirim Kastrati i bëri një nisje fantastike sezonit në Kroaci, duke shënuar 7 gola në pak javë kampionat. Më pas “ngeci”, por ajo periudhë i shërbeu që për të të interesohej Kosova dhe ai e pranoi ftesën. Shqipëria gjithashtu e ka tentuar, ndërkohë që ai tregon se ka pasur kontakte edhe me Kroacinë.
Në të tjera, në emisionin “Interaktiv” në KTV, ai ka zbuluar se si e kanë larguar nga moshat e Shqipërisë. “Para se të vendos për Kosovën kam pasur kontakte dhe me shtetin kroat e Shqipërinë. Isha te Shqipëria U17, por kam pasur disa probleme e më kanë hequr. Kam qëndruar 10 ditë e në ditën e ndeshjes më kanë hequr nga ekipi. Ka qenë trajner Alban Bushi.
Kemi pasur dy miqësore, më ka ftuar e nuk më ka futur në lojë. Por s’ka gjë. Kishin ardhur edhe familjarë të mi për të më parë në Durrës. Pesë minuta para ndeshjes më tha se nuk jam në 18-she dhe e kam parë ndeshjen nga tribuna. Isha i dëshpëruar”, tregon sulmuesi anësor.
Kastrati asokohe ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tiranës, ndërkohë që ndodh shpesh që lojtarë të ndryshëm vijnë duke u rritur me kalimin e kohës. Asokohe është gjykuar se ka të tjerë më të mirë, kurse tani rritja dhe cilësitë e Kastratit evidentohen lehtësisht.