Ka drejtuar 16 skuadra në 16 vjet karrierë në stol, por kurrë një kombëtare. Kuqezinjtë e tërheqin: “Ka edhe të tjerë në valle, të shohim. Do të më pëlqente shumë të stërvisja Shqipërinë”
Anton Cicani
Valter Zenga është gati për Shqipërinë. Pas bisedës me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ish-portieri i Italisë dhe Interit, pret me padurim që të arrihet akordi për të drejtuar për të parën herë në karrierën e tij në stol, një kombëtare futbolli. Aventura e tij e fundit në Championship, pra në kategorinë e dytë angleze, ishte një dështim total, por Zenga është nga ata që nuk e ndjen presionin dhe për “Sport Ekspres” rrëfen: “Po, më ka kontaktuar federata shqiptare e futbollit dhe presidenti Armand Duka, ku kemi folur dhe shpalosur idetë tona. Tani do të azhurnohemi. Të shpresojmë. Do të më pëlqente shumë, por të presim. Nuk mund të them më shumë se kaq. Nuk varet vetëm nga unë. Ka të tjerë kandidatë me autoritet”, tha Zenga.
Udhëtimet – Të drejtosh 16 skuadra në 16 vjet karrierë si trajner nuk është një fjalë goje, madje do të ishte impenjuese edhe për shumë timonierë të tjerë, të cilët do të ndiheshin të lodhur dhe gati për një kombëtare… Pikërisht kjo është ideja e Valter Zengës, që dikur priste topat që i vinin drejt portës që duhet të mbronte, ndërsa sot i duhet të presë “ofertat”, por jo më në kuptimin figurativ, por atë të drejtpërdrejtë.
Miku magazinier – Dikur, mundësia për të parë botën dhe për t’u njohur me kulturën dhe zakonet e ndryshme ishte thjesht një udhëtim imagjinar ose ndoshta thjesht një farë lexim i një libri të shkruar nga lundërtarë të ndryshëm, për të imituar figura si Kristofor Kolombi apo Ameriko Vespuçi… E thërrasin “Njeriu Merimangë”, sepse kërcente deri në këndin e portës dhe përpiqej të grushonte ndonjëherë edhe të pamundurën.
Dhe, ashtu sikur dikur “krijonte rrjetën” e tij, ashtu edhe ka lëvizur në çdo cep të botës, duke shkelur tre kontinente (Amerikë, Europë dhe Azi). Nuk jemi në një “National Geografic”, por në realitetin e atij që në moton e tij ka fjalinë “Të stërvitësh është një stil jete”, ashtu sikurse dhe kursi i tij për trajnerët e rinj. Aty, Zenga do të rrëfente edhe një mënyrë për të kuptuar një ambjent të ri, ku do të niste punë: “Gjëja e parë që bëj kur shkoj në një ambient të ri, skuadër të re, është që të dal për darkë me magazinierin dhe e dini pse? Sepse është i vetmi që është aty prej 20 vjetësh dhe i vetmi që mund të thotë gjithçka”. Ky është një ndër sekretet e vogla të Valter Zengës, që përtyp futboll prej më shumë se 40 vjetësh.
Vojvodina e mallkuar – Sigurisht, nëse do të kthehej mbrapa në kohë, sigurisht flasim për sa i përket karrierës së tij si trajner, pasi si futbollist do të duhej ndoshta edhe më shumë se një vëllim… “Atë mbrëmje të mallkuar s’dua ta kujtoj, por nëse do të shkruaja një libër, do të kisha çfarë të thoja”. Pikërisht eliminimi ndaj Vojvodinës në turin e tretë të kualifikueseve për Europa League (humbje e turpshme 0-4 në “Marassi”) solli edhe shkarkimin e tij nga pankina e dorianëve, duke i hapur rrugën Vinçenco Montelës. Kanë kaluar dy vjet nga ajo ditë, ndërsa sot Zenga ndihet më i fortë.
Goditjet e dënimit – Një tjetër armë e fortë e Valter Zengës janë goditjet e dënimit. Në fakt, skemat e tij, që fillimisht ngjallën shumë ilaritet edhe te Katania, në Siçili, më pas rezultuan se ishin efektive. Sigurisht, i bëri më pak të komplikuara, por që gjithsesi “vrastare”.
Karriera si trajner
1998-1999 N.E. Revolution
2000-2001 Brera
2002-2003 Nacional Bukuresht
2004-2005 Steaua Bukuresht
2005-2006 Crvena Zvezda
2006-2007 Gaziantepspor
2007 Al-Ain
2007 Dinamo Bukuresht
2008-2009 Katania
2009 Palermo
2010-2011 Al-Nasr
2011-2013 Al-Nasr
2013-2014 Al-Xhazira
2015 Sampdoria
2015-2016 Al-Shab
2016 Ulvërhempton