Trajneri i skuadrës, braziliani Ze Maria është i bindur se skuadra e tij do të jetë e para në kampionat. Pas fitores me Naftëtarin, bardheblutë dhe trajneri i tyre do të marrin dy ditë pushim, ndërkohë që braziliani kritikoi ekipin për sjelljen në fushë, teksa luajti pjesë-pjesë dhe jo me të njëjtin ritëm. Ze Maria foli edhe për vendin e parë dhe çfarë pret nga skuadra në të ardhmen.
-Fitore e lehtë dhe jeni në kuotën e nëntë pikëve?
Nuk është kurrë e lehtë. Lika mori një ndëshkim, sepse kundërshtari kundërsulmoi dhe atij iu desh që të mbyllte sulmin për të mos pësuar gol. Ishte një kundërsulm që ne e dhuruam. Ishte një ndeshje sa e lehtë dhe aq e vështirë. Them kështu, sepse kur luan me hope, apo pjesë, atëherë do të na hapen probleme nga kundërshtari. Duhet të jemi të përqendruar 90 minuta 100 për qind dhe nëse duhet ta mbyllim një ndeshje, duhet ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur.
-Si mund të motivosh djemtë në këtë moment. Humbin raste dhe nuk përqendrohen?
Kjo është diçka e vështirë të ndryshohet. Është mentalitet, por që duhet të ndryshojë pak nga pak. Këtë po bëjmë me djemtë. Po u tregojmë se çfarë duhet të bëjnë. Gjithmonë u them se sa më seriozisht luajmë aq më shumë rezultate marrim. Sot luajtëm një ndeshje të lehtë dhe të vështirë. Kur ndeshja ishte e lehtë, patëm shumë raste për gol. Kjo është pjesa pozitive, pra që po prodhojmë raste. Portieri i tyre, madje bëri pritje të rëndësishme dhe të bukura që mund ta thellonin rezultatin. Në fillim sulmuesit ishin të bllokuar, tani kanë shënuar pesë gola. Këtë aspekt e kemi rregulluar. Duhet të konkretizojmë më shumë. Diferenca me gola në fund mund të jetë vendimtare.
-Po ama kundërshtarët nuk janë në nivelin tuaj?
Unë mendoj për ekipin tim dhe jo për kundërshtarët. Ne luajmë për të fituar. Nëse skuadra kundërshtare do të na hapë apo jo probleme për mua s’ka rëndësi. Do të jetë forca jonë për të zgjidhur takimin ashtu siç do të vijë.
-Ndonjë dhuratë për djemtë?
Do të jenë pushim deri të martën e ardhshme. Janë pushime të merituara. Djemtë janë stërvitur shumë dhe e meritojnë këtë dyditësh.
-Vendi i parë ju rri mirë?
Ne punojmë dhe luftojmë për të qenë në krye të kampionatit. Jam shumë i kënaqur për këtë pozicion, jam i kënaqur edhe për djemtë. Tani duhet të administrojmë këtë vend të parë, duke punuar më shumë.
-Lika përse doli jashtë?
Për t’u qetësuar pak. Ka muaj që nuk pushon dhe i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet. Një shans edhe për Shehrin që të ingranohet me ekipin.
-Tifozët u larguan në minutën e 19-të të lojës. Një koment për ta?
I pashë! Më vjen keq, unë do të doja që ata të ishin në stadium me ne. Është e rëndësishme që të luajmë me stadiumin plot dhe me tifozët që na mbështesin. Janë të hidhëruar për atë që ka ndodhur sezonin e shkuar. Plaga është e shumë e madhe. Ne si skuadër do të mundohemi që ta mbyllim këtë plagë vetëm duke fituar e luajtur mirë. Ne do të bëjmë pjesën tonë. I takon tifozëve dhe klubit të bëjnë të tyren për të mbështetur skuadrën. Fundja tifozët vinë për skuadrën që është e të gjithëve. Kemi nevojë për tifozët sa më shpejt dhe një shoqëri të fortë. Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre.