Analizë dhe më pas stërvitje për bardheblutë. Trajneri është fokusuar në shumë te goditjet në portë. Binguila rrezikon largimin
Olsi Avdiaj
Tirana vazhdon të mos shënojë gola aq sa i duhen Ze Marias. Ky është mendimi i trajnerit të Tiranës. Edhe pse skuadra e tij ka fituar miqësoren e radhës me ekipin U-21 për trajnerin Ze Maria, situata nuk është e kënaqshme, sidomos në sulm. Sipas tij, sulmuesit nuk shënojnë shumë gola, por këtë duhet ta bëjnë edhe më shpesh dhe humbasin raste të pastra para portierëve kundërshtarë. Trajneri edhe një herë tjetër dje ka folur gjatë me skuadrën dhe mënyrën e saj të të sulmuarit. Në shënjestër janë vënë sulmuesit të cilët gabojnë shumë para portës. Sipas Ze Marias, dy janë problemet në ekip. Krosat dhe shënjestra e sulmuesve. Kjo ëshë parë gjatë gjithë këtyre ndeshjeve, që edhe lojtarët kanë shënuar, shumë raste i kanë humbur para porte.
Stërvitja – E djeshmja ka qenë një tjetër stërvitje e bezdisshme nëse mund ta themi kështu për ekipin bardheblu. Krosa nga krahët dhe goditje në portë e mesfushorëve dhe sulmuesve. Një stërvitje që ka zgjatur më shumë se dy orë ku trajneri Ze Maria i ka shkundur lojtarët. Vetëm gjuajtje kuadrat ku në çdo moment trajneri brazilian lavdëronte ata që e fusnin topin në portë. Nuk kanë mbetur pas as mesfushorët si Karabeci, Daja e ndonjë tjetër që janë bashkuar me repartin e sulmit. Edhe pse Ze Maria është ankuar për golat dhe shënjestrën para portës, duhet të kujtojmë se sezonin e shkuar në 36 javë, bardheblutë shënuan 29 gola, ndërsa në tre javët e Kategorisë së Parë kanë shënuar 7 gola që do të thotë se pas 27 javëve, golat mund të trefishohen nga sezoni i shkuar. Dhe të gjithë golat janë shënuar nga sulmuesit apo mesfushorët. Erando Karabeci është një nga ata që e ka nisur shumë mirë. Tre gola në pesë ndeshje zyrtare nuk janë pak. Junus Sentamu është ai që po shkëlqen, duke qenë golashënuesi i Kategorisë së Parë. Ndoshta blerja më e goditur e bardhebluve. Katër gola, shumë asist, e raste e bëjnë lojtarin më rezultativ te bardheblutë. Një sulmues që lëviz majtas e djathtas që bën gjithçka për golin. Njëri nga ata që po shënon pa pushim. Me një mesatare, 1.3 gola për ndeshje, Sentamu është golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë. Majkëll Ngo ka shënuar tre gola, që nuk janë pak për një futbollist që sapo ka lënë pas një dëmtim.
Mungesa – Dihet që janë katër lojtarë të cilët nuk po përgatiten me ekipin bardheblu dhe që janë në kombëtare. Veç tyre ai që mungonte dje ishte i zakonshmi Hardi Binguila që rrezikon të humbasë fazën e parë të kampionatit. Ndoshta edhe ai mund të largohet, pasi nuk po i vlen bardhebluve.