Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka folur në konferencën për shtyp 24 orë para ndeshjes në Europa League kundër Makabit të Tel Avivit, duke u ndalur më shumë te Tirana dhe te puna e kryer gjatë javës së fundit: “Kemi zhvilluar një javë më shumë stërvitje se sa në ndeshjen e parë, tani e njoh më mirë skuadrën time, ndaj shpresojmë për më mirë, edhe pse kemi përballë një rival mjaft cilësor. Lojtarët e dinë se çfarë dua unë, i njohin më mirë idetë e mia”.
Objektivi i nesërm: “Do të luftojmë për të fituar, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë e vështirë edhe për ata, sepse në ndeshjen e parë na ndëshkuan vetëm në dy gabimet tona. Do të përpiqemi që të shënojmë minimalisht dy gola. Por le të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë. Dua që skuadra të luajë futboll të mirë. Duhet të luajmë në mënyrën braziliane, pra duhet ta dashurojmë futbollin. Nesër kundër Makabit e dimë se duhet të luajmë me gjithë zemër dhe duhet të bëjmë gjithçka. Ne kemi një projekt të qartë, por ama këto dy javë kemi punuar vetëm për këto ndeshje. Do të provojmë më pas edhe mënyra të ndryshme për t’u përgatitur. Por për nesër ne kemi shanset tona dhe do të tentojmë gjithçka”.
Merkatoja shqetëson Ze Marian: “U kam kërkuar lojtarëve që të qëndrojnë këtu. Disa të rinjve zërat e merkatos nuk u bëjnë mirë. Po ju marr si shembull Dokën, për të cilin flitet se mund të shkojë në ndonjë klub të madh… Janë lojtarë të rinj dhe unë shpresoj që të qëndrojnë me ne. Gjithsesi është klubi ai që mendon për të tashmen dhe për të ardhmen. Në karrierën time kam parë shumë futbollistë të talentuar që kanë çuar dëm karrierën sepse kanë dashur të hedhin hapa të mëdhenj pa i studiuar mirë. Ndaj unë i kërkoj Dokës dhe të tjerëve që t’i marrin gjërat hap pas hapi dhe të qëndrojnë këtu. Klubi e di mirë se çfarë na duhet për të ardhmen dhe specifikisht për Kategorinë e Dytë. Duhen lojtarë me eksperiencë, sepse shumë skuadra të vogla do të kërkojnë që ta mundin Tiranën pasi është ekipi më i madh. Skuadra nuk është ende gati, megjithatë duhet të jemi të përqendruar fillimisht për këtë ndeshje, por për të ardhmen sigurisht që na duhen disa lojtarë.
“Sentamu? Jam i kënaqur për atë që bëri për ndeshjen e parë. Ndërsa për Uellisonon, ai ende nuk ishte gati për ndeshjen e parë, por mund të jetë gati për nesër. Daja nuk po luan? Të gjithë futbollistët janë të rëndësishëm për mua. Këtu përfshihet edhe Daja. Ai e di se çfarë mendoj unë për të ndaj nuk mendoj se ka ndonjë problem. Ka eksperiencën e duhur dhe ai na duhet. Për mua është i rëndësishëm”.
Shqetësimi i fundit: “Këtu është më tepër vapë se në Afrikë dhe nesër do të jetë më vapë se sa sot, por gjithsesi ne do të japim 200% që të mund të shpresojmë”.