Tirana nesër luan në Shkodër kundër Kukësit, ndërkohë që trajneri Ze Maria ka dalë para mediave dhe ka folur për situatën në ekipin e tij. Ai flet përvështirësinë e takimit me verilindorët, për të vijuar më pas me komentet për merkaton.
Gjithashtu braziliani ka sqaruar se nuk ka asnjë dënim për Albi Dokën, i cili në momentin e zëvendësimit në ndeshjen me Teutën, shfaqi shenja nervozizmi. Trajneri i bardhebluve konfirmon Ilion Likën në portë, ndërkohë që i paralajmëron të gjithë se po vjen Tirana e vërtetë.
VËSHTIRËSIA –“Të gjitha ndeshjet janë të vështira për të gjithë në Superiore, veçanërisht këtë herë kur kundërshtari vjen pas një humbje dhe do tentojë të fitojë ndaj nesh. Kjo është normale, ndaj duhet të jemi të përqendruar. Shpresojmë të marrim rezultat pozitiv”.
NDRYSHIMET NË FORMACION – “Ndoshta do të ketë, por nuk mund t’i them tani. Nuk flas dot për çështje taktike, jemi stërvitur njëlloj si për ndeshjen e fundit. Do shohim nesër se cili sistem na përshtatet”.
TIRANA E VËRTETË – “Grupi ka qenë i plotë gjatë javës, por presim javës tjetër një futbollist me kualitet. Mund të them që kemi punuar mirë dhe pas ndeshjes së tretë do jemi gati të përballemi dhe të luftojmë me çdo kundërshtar pa frikë”.
AFRIMI I FUNDIT – “Po kërkoja një lojtar krahu në atë pozicion, djali (Oduamadi) ka shumë eksperiencë, ka luajtur prej vite në Itali. Ka nivel të mirë. Duhet edhe një sulmues, por kthehet Ngo. Deri në janar do punojmë me këta lojtarë. Ndonjëherë do të luajmë me një numër 9, ndonjëherë jo”.
KENI FRIKË NGA HUMBJA – “Jo, kur bën këtë punë, si trajner apo si lojtar, nuk ke frikë. Punon fort çdo ditë të gjesh zgjidhje kur bëhen gabime. Gjithmonë punon për tre pikët”.
ILION LIKA TITULLAR– “Ju e dini më mirë se unë (qesh). Sigurisht do të luajë, ai është portieri i parë. Për shumë arsye ai do të luajë, na duhet eksperiencë në këtë moment. Do kthehet të marrë vendin e tij. Edhe Alesio ka bërë paraqitje të mira në dy ndeshjet e para”.
SENTAMU – “Është normale, edhe Ronaldo nuk ka shënuar me Juventusin në Serinë A. Është lojtar që kur nis të shënojë nuk ndalet. Vjet, Greca, Sentamu dhe Ngo kanë shënuar më shumë se 30 gola”.
DOKA – “Është vendim taktik, do shohim nesër nëse luan apo jo. Formacioni vendoset para ndeshjes. Nuk i ndëshkoj lojtarët, nesër do mësoni formacionin”.
AFRIMI I ODUAMADI – “Patjetër që kam një bisedë me drejtorin Çomo dhe Laçin, patjetër që është vendosur në grup. Do zgjidhë disa probleme personale deri të martën në Itali, ndërsa më pas do të bashkohet me ne”.