Largimi i Leroi Sane nga grumbullimi me kombëtaren, duke konfirmuar mungesën e tij në miqësoren përballë Perusë, ishte një befasi e madhe për tifozët. U mendua në masë si një përplasje e lojtarit me trajnerin Lëv, por e vërteta është ndryshe dhe nuk ka nevoje për t’u shqetësuar siç citon gjermania “Bild”.
22-vjeçari po pret lindjen e fëmijës së tij dhe i është dashur të qëndrojë afër gruas. Lojtari i Mançester Sitit ka njoftuar trajnerin, me të cilin ka patur një takim kokë më kokë. Sane i ka shpjeguar shkakun e vërtetë dhe trajneri i ka dhënë leje për të qëndruar afër familjes së tij.
Hoakim Lëv nuk e grumbulloi lojtarin ofensiv në Botërorin e Rusisë, por gjithçka ka kaluar dhe marrëdhënia e tyre po shkon drejt normalizimit. Lëv e konsideron Sane një lojtar të rëndësishëm për kombëtaren dhe ciklin e ri të saj. Mjafton që lojtari t’i lejë mbas shpine problemet e kohëve të fundit dhe të arrijë formën maksimale për t’u rikthyer si pjesë e rëndësishme e skuadrës.
Lajm i mirë për Gjermaninë, por mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kros, ka lëshuar një koment mbi 22-vjeçarin e Mançester Sitit. “Ndonjëherë, gjuha e trupit të Leroit duket e njëjtë nëse fiton, ose humbet. Ai është një futbollist, i cili ka gjithçka që nevojitet për t’u bërë një yll i klasit botëror, por ndonjëherë, i duhet kërkuar që të japë më shumë”, komenton Toni Kros. Me pak fjalë, Sane ka talent me tepricë si lojtar, por ai duhet të rritet dhe ndoshta fakti që do të bëhet baba, do i shërbejë për të arritur pjekurinë e nevojshme si në nivelin futbollistik dhe atë psikologjik.