Piter Olajinka ka bërë një sezon super në Belgjikë me fanellën e Zulte Varegem. Sulmuesi nigerian ka arritur të shënojë 11 gola dhe të japë 15 asiste, çka e ka bërë atë ndër më të kërkuarit në merkato. Nga Franca, Gjermani, Çekia dhe Rusia ka pasur interesim, por ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet.
Slavia Praga ishte klubi që e bindi sulmuesin me ofertën e bërë dhe ishte gati të transferohej, por ka edhe një vit kontratë me Gent, që e ka blerë sulmuesin te Skënderbeu për rreth 1 milion euro. Ende nuk ka luajtur me këtë ekip një ndeshje zyrtare, gjë që mund ta bëjë këtë sezon, pasi është përfshirë në ekip.
Gjithsesi nuk duhet rrezikuar, pasi verën e ardhshme mund të largohet me parametro zero. Këtë verë bisedimet kanë qenë intensive dhe mediat belge kanë bërë me dije se me Slavia Pragën është diskutuar dhe oferta ka variuar nga 3 në 5 milionë euro.
Por çekët, që financohen nga një kompani kineze, kanë ndryshuar kurs në merkato dhe nuk po lëvizin më si më parë. Për Olajinkën duket se janë tërhequr dhe me plot të drejtë. Së fundmi bëhet me dije se Gent për kartonin e nigerianit kërkonte 8 milionë euro, një shifër mjaft e lartë. Nëse do bëhej realitet një lëvizje e tillë, atëherë edhe Skënderbeu do të përfitonte mbi 1 milion euro.