Zaka: Rezultatet do vijnë, pushimi erdhi si me porosi

0

Sekretari i klubit të Lushnjes flet për përgatitjet e ekipit nën drejtimin e Dedjes dhe parashikon një të ardhme më të mirë

Arjan Likja

Reshjet e shumta që kanë rënë gjatë së martë e kanë detyruar trajnerin e verdhejeshilëve, Hysen Dedja, që dy seancat stërvitore të kësaj dite t’i zhvillojë në vende të ndryshme. Seancën e paradites, që përmbajti vetëm përgatitjen fizike pa top, Dedja e ka zhvilluar në kompleksin sportiv në qendër të qytetit, që administrohet nga bashkia. Seancën e pasdites, e planifikuar me ushtrime tekniko-taktike me topin, kryepankina e Lushnjes  e ka zhvilluar brenda në stadiumin “Roza Haxhiu”. Zyrtarët e klubit janë të kënaqur me seriozitetin dhe përkushtimin që po e zhvillon stërvitjen trajneri i ri, ndërkohë që shpresojnë që kjo frymë që po përçohet te futbollistët do t’i japë frytet e saj në ndeshjet e ardhshme. Këtë e pohon për “Sport Ekspres” sekretari klubit, Irakli Zaka, i cili thotë: “Ndryshimi i trajnerit ka sjellë një frymë të re pozitive te grupi i futbollistëve. Kjo gjë po reflektohet qartë në seancat stërvitore, ku përkushtimi gjatë përgatitjeve është pranuar nga të gjithë. Trajneri i ri ka vënë theksin te ngritja e parametrave fizik te futbollistit, gjë që e ka konsideruar si të metën kryesore pas ndeshjes me Luftëtarin. Si një njohës i futbollit po vëzhgoj e konstatoj se Dedja po aplikon me mjaft profesionalizëm tek futbollistët rritjen e ngarkesës fizike. Ajo që më ka pëlqyer më shumë tek ajo çka po përcjell ky trajner te futbollistët, është fryma e konkurrencës. Të gjithë futbollistëve po u bëhet e qartë se formacionin do ta meritojë kush plotëson kriteret fizike dhe kush do t’i vërë më mirë në shërbim të ekipit vlerat e tij në ndeshjet e kampionatit. Kjo frymë ka rritur ndjeshëm përkushtimin dhe egon në seancat stërvitore, çka garanton për një vazhdimësi më produktive”, tha Zaka për gazetën, teksa më tej flet edhe për mundësin që i jep stafit për të punuar me ekipin në këtë periudhë ku kampionati është ndalur. “Kjo ndërprerje kampionati ka ardhur si me porosi për problematikën e dobësive fizike që ka vërejtur trajneri jonë te futbollistët, prandaj testimet fizike Dedja nuk i kreu gjatë javës anti-Luftëtari, por po i aplikon në këtë periudhë pushimi. Kjo do të bëj të mundur që ndeshja me Vllazninë do t’i gjejë më të rikuperuar në aspektin fizik futbollistët tanë. Nëse do ecim me këto ritme profesionalizmi në stërvitje e në ndeshje, shumë shpejt rezultatet pozitive do të jenë në favorin tonë”, është shprehur në mbyllje Zaka.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.