Klaudio Xhentile është aktivizuar për 11 sezone me Juventusin dhe njihet si një nga mbrojtësit më të fortë italian. Ish-trajneri i shpresave të Italisë ka besim tek ekipi që kanë krijuar bardhezinjtë, mbështet trajnerin Alegri dhe shpreson tek dyshja Ronaldo&Dibala. Në fund dhe një koment për shpërthimin e trajnerit të Atalantës, Xhan Piero Gasperini, i cili në konferencën për shtyp të ditës së sotme, nuk i kurseu kritikat për drejtuesit e klubit.
Ronaldo&Dibala – “Juventus ka patur disa dyshe sulmuesish që kanë shkruar historinë, por Ronaldo dhe Dibala mund të arrijnë majën, sepse jam i sigurtë që Juventus do të fitojë Champions Ligën, ose të paktën e uroj diçka të tillë. Ka ardhur momenti që bardhezinjtë të triumfojnë në këtë kompeticion.”
Alegri – “Sa i përket Alegrit, askush nuk mund ta kritikojë atë. Ka arritur dy herë në finale dhe i ka humbur për shkak të gabimeve arbitrare. Alegri është një garanci. Ai ka një artileri në duar dhe nuk mund të tërhiqet.”
Trajneri i Atalantës – “Jam i befasuar me Gasperinin, sepse gjithmonë ka treguar gjëra të mira. Nuk e kuptoj, nuk i di mirë shkaqet, por janë fjalë të rënda. Ndoshta diçka nuk shkon brenda ekipit, por është e rrezikshme të bësh deklarata të tilla, sepse askush nuk i ka kërkuar të fitojë Champions-in”, përfundon Xhentile.