Disa ndeshje nuk harrohen kurrë, qofshin fitore të mbushura me gëzim apo humbje prej… gjykimit të arbitrit. Para 17 viteve Botërori zhvillohej në Korenë e Jugut dhe Japoni. E para kupë bote e organizuar në Azi.
Italia kishte një kombëtare shumë të fortë dhe ishte një ndër pretendentët për fitimin e trofeut të madh. Në stol ishte Xhovani Trapatoni. Pasi kaluan grupin mes mijëra vështirësish, një specialitet i Italisë vuajtjet në fazën e grupeve, shorti i vuri përballë vendasve koreane, të cilët udhëhiqeshin nga Ahn Jung-Huan në fushë dhe mjeshtri Gus Hidink në pankinë.
Italia duhet të kualifikohej pa vështirësi, por ajo pasdite qershori do të kthehej në makthin më të madh futbollistik të vendit fqinj. Një ekuadorian me emrin Bairon Moreno vendosi të bëhet protagonist dhe njeriu më i urryer në Itali.
Tifozët axurrë nuk e harrojnë kurrë emrin dhe fytyrën e tij. Të shumta ishin vendimet e dyshimta, të gjitha në favor të ekipit vendas. Djemtë e Trapatonit kishin fajet e tyre, nuk arritën të mbanin avantazhin e shpejtë të siguruar nga Vieri (humbi një rast të pabesueshëm me portë bosh në minutat e fundit) dhe nuk arritën të mbyllnin ndeshjen.
Megjithatë, të turpshme ishin episodet ku u ndëshkua Toti me të kuqe, goli i anuluar padrejtësisht i Tomazit dhe disa raste të tjera. Zambrota pësoi një ndërhyrje të ashpër, e cila e detyroi një nga mbrojtësit e krahut më të mirë të historisë së futbollit italian që të linte fushën i dëmtuar, por asgjë për arbitrin. Në një prononcim për programin ekuadorian “Futbol Sin Casete”, Moreno është ndalur te rasti i fundit.
Byron Moreno “Si era roja la de Zambrotta” avance de la entrevista que estará disponible el día domingo.
Byron Moreno 17 anni dopo: «Su Zambrotta era fallo da rosso»
anteprima dell’intervista che sarà disponibile domenica@zazzatweet @MaxCordaro @Gazzetta_it @PaoloCond pic.twitter.com/naHyrLD1uo— Fútbol Sin Cassette (@f_sin_cassette) May 3, 2019
Ai e pranon pas 17 vitesh se duhej të kishte nxjerrë kartonin e kuq për lojtarin korean në rastin e Zambrotës. “Po, ishte karton i kuq”, ka folur shkurt ish-arbitri, i njohur për gjykimin e kësaj sfidë. Një e vërtetë e hidhur që nuk ndryshon asgjë, por kurrë nuk është vonë për të pranuar fajin dhe për t’u treguar i sinqertë me të gjithë, por sidomos me veten.
Ishte 18 qershori i vitit 2002. Koreja e Jugut eliminonte Italinë e madhe dhe kualifikohej për herë të parë në histori në çerekfinale, në një ndeshje që për fat të keq mbahet mend si ndeshja e Bajron Morenos…