Historia e ditës në Itali mbetet transferimi i sulmuesit Edin Xheko te Çelsi. Boshnjaku nuk flet, ashtu si Roma dhe Çelsi, por mediat italiane e bëjnë të kryer transferimin e tij në Londër, ndërsa kanë publikuar edhe foto të tij duke transportuar disa çanta për në makinë, shenjë e qartë se po shpërngulet.
Bëhet fjalë për 50 milionë euro plus bonuse, për Xhekon dhe mbrojtësin brazilian Emerson. Biznes i shkëlqyer, apo humbje të mëdha? Xheko ka shënuar 9 gola në 20 ndeshje kampionati këtë sezon (plus 3 gola në Champions) dhe është pikë kyçe në sulm, por është thuajse 32 vjeç dhe në të shkuarën tifozët e kanë kritikuar shpesh, ndaj duket e çuditshme që shumë tifozë sulmojnë klubin verdhekuq, që po merr një shifër të jashtëzakonshme për një sulmues që nuk është më në lule të rinisë, ndërkohë që Emerson vjen nga një dëmtim i rëndë dhe nuk ka luajtur fare këtë sezon.
Me laps e letër, llogaritë e Romës duken shumë të sakta, sepse e ardhmja i takon çekut Shik dhe me 50 milionë euro mund të gjendet ndonjë sulmues niveli, në moshë më të re.
DI FRANÇESKO – Ndërkaq, trajneri i Romës Euzebio Di Françesko ka folur në prag të sfidës së prapambetur kundër Sampdorias, të mërkurën në mbrëmje. Tema Xheko në plan të parë, natyrisht: “Unë mendoj për ndeshjen, në këtë moment Xheko është titullar dhe nesër do të luajë, nëse do të jetë në skuadër. Nuk është i qetë, e kuptoj, por zgjedhjet i bëj unë dhe klubi nuk ndërhyn, ndaj për mua Xheko luan”. Nëse Xheko nuk do të jetë? “Kemi Shik, nuk është vetëm e ardhmja, është edhe e tashmja: duhet të tregohet më i keq dhe i vendosur në zonë. Pastaj kemi edhe Defrel”. Meqë jemi te Shik: e mërkurë e veçantë për të: luan kundër klubit që e bëri të famshëm në Itali dhe e bën në ditën që mbush 22 vjeç!