Skënderbeu përfitoi në verë rreth 250 mijë euro dhe Xhejms Adeniji po bën mirë në Azerbajxhan. Sulmuesi nigerian arriti të shënonte në fundjavë dy gola në triumfin kundër Sabail dhe i dha tre pikë mjaft të vlefshme skuadrës së Gabala, që do pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Nisur nga paraqitja e bërë, Xhejms është përfshirë për të dytën javë në formacionin më të mirë të javës. Javën e shkuar ai ishte së bashku me Ansi Agollin, madje ish-kapiteni i kombëtares sonë u shpall lojtari më i mirë i javës.
Këtë herë skena ka qenë e gjitha për Xhejms, pasi është ai lojtari i javës. Këtë sezon ai ka arritur të realizojë tetë gola dhe është i dyti në listën e golashënuesve. Sezoni më i mirë për Xhejms ka qenë 2015/16, kur shënonte 15 gola në Superiore. Nëntë herë realizonte me fanellën e Laçit dhe pjesën tjetër të golave i shënoi me Skënderbeun, ekip me të cilin u shpall edhe kampion.