Zyrtarizimi i Marko Xhampaolos në krye të pankinës së Milanit është çështje kohe, me trajnerin që ka mbyllur kontratën me Sampdorian dhe tani është i lirë për të firmosur me kuqezinjtë.
Prej kohësh raportohet në media se dëshira kryesore e trajnerit të ri është Lukas Torreira, i cili një vit më parë kaloi nga Sampdoria tek Arsenali. Një rikthim në Serie A mund t’i pëlqente mesfushorit, por “Topçinjtë” nuk duan ta lëshojnë lehtë.
Gjendur përpara këtij fakti, drejtuesit e Milanit pritet të sakrifikojnë “digën” e tyre, Frank Kesi. Mesfushori afrikan mund të përfshihet në marrëveshjen me Arsenalin, gjithmonë në rast se londinezët do të ishin dakord.
Në të kundërt Kesi do të shitej diku tjetër dhe me paratë e shitjes, kuqezinjtë do të kishin mundësi të shpenzonin për Torreiran.