Vogli premton: Egnatia, surpriza e kampionatit

Mbrojtësi pak vite më parë spikaste në elitë, tashmë synon që të rikthehet me rrogozhinasit

Fatmir Efica

Shtatë vite më parë, në sezonin 2010-11 kur debutonte në “sallonin” e kategorisë superiore me Shkumbinin, qendërmbrojtësi shtatlartë nga Peqini, 24-vjeçari Jurgen Vogli, kurrë nuk e kishte çuar ndërmend se puna do të vinte deri aty që të luante edhe në kategorinë e dytë. Ishte sezoni i shkuar që do të mbahet mend gjatë. Përjetoi një eksperiencë fantastike me Egnatian. Të cilën Vogli e çmon si një “udhëtim” drejt së “panjohurës”. Mesditën e djeshme, vetë futbollisti që në karrierën e tij ka zhvilluar 110 ndeshje dhe ka realizuar 2 gola, ka folur e zbardhur detaje e argumente interesante në intervistën e dhënë posaçërisht për “Sport Ekspres”…

– Ç’përbën për ju tani “aksi” Peqin – Rrogozhinë ku është vendosur karriera juaj?

Kujtimet e para janë të mrekullueshme me Shkumbinin në Superiore. Kam debutuar pa mbushur 17-vjeç. E kujtoj si tani emocionin e përgjegjësinë aq të madhe që ndieja. Ishte edhe një shkëndijë e parë pozitive, shumë inkurajuese. Tani, në Rrogozhinë jam sërish mes një realiteti të rëndësishëm, vlerësues për gjithçka. Ajo që ndodhi mirë e bukur sezonin e shkuar ku u shpallëm kampion në Kategorinë e Dytë na ka lumturuar. Por, ka krijuar dhe optimizëm madhor momentalisht duke qenë të rrethuar, përfshirë dhe mua, nga një atmosferë shumë inkurajuese për sezonin e ri që po “troket” dhe ku Egnatia do të luajë në kategorinë e parë.

– Kampion te Egnatia në kategorinë e dytë në sezonin e fundit. A e kishit menduar se do të luanit edhe te… inferiorët

As që e kisha çuar ndër mend. Të jem realist, nga Shkumbini, Elbasani e Lushnja që kanë qenë deri më tani të vetmet stacione të karrierës sime, tek Egnatia më pëlqeu ajo dëshirë e drejtuesve të cilët verën e kaluar ishin të vendosur të bënin një skuadër me objektiva të mëdha. U bëra pa asnjë mëdyshje pjesë e këtij projekti dhe më vjen mirë që dolëm me meritë kampion në kategorinë e dytë. Jemi gëzuar shumë. Merita i shkon të gjithë atyre që punuan e sakrifikuan fort për këtë sukses. Edhe tifozët e mrekullueshëm rrogozhinas dua t’i përshëndes në mënyrë të veçantë për mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë.

– Si po ecën në këto 10 ditë të para puna stërvitore në prag të sezonit të ri?

Ka shumë optimizëm. Atmosfera që na rrethon është shumë pozitive. Është ruajtur 80-90 për qind e grupit të futbollistëve që mbylli sezonin e shkuar. Ditë pas dite vijnë edhe lojtarë që provohen e kjo është normale. Por mund të them se Egnatia jo vetëm që ka tani një bosht të konsoliduar me lojtarë që dallojnë për energjitë e karakterin, por mbi të gjitha ka një staf teknik që ka një frymë përkushtimi të tillë ndaj skuadrës që sjell përditë e më tepër motivim absolutisht të madh.

– Në kategorinë e parë, shkalla e vështirësisë së ndeshjeve është më e madhe.

Po përgatitemi seriozisht që ta përballojmë këtë trysni. Më tepër e shoh të karakterit psikologjik se sa sportiv. Do të luajmë ndaj ekipeve të forta si Besa e Kavajës, Dinamo, Kastrioti, Besëlidhja, Erzeni, etj. por nuk shoh asnjë tendencë që në këtë rivilatet e konkurrencë që do të ndeshim në kampionatin e ri të Kategorisë së Parë, ne të tkurremi ende pa nisur gara. Egnatia, kam bindjen se do të jetë një nga skuadrat më surprizë të kampionatit. Një gjë e them me siguri. Egnatia po krijon një skuadër kompakte, shumë të fortë dhe që nuk i trembet askujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *