Vllaznia zbavitet në kupë, më në fund kalojnë edhe pagat

Pak minuta pas fitores dhe kualifikimit në Kupë, në sallën e Bashkisë Shkodër mes debateve u miratua fondi i rrogave të kuqebluve

E mërkura ka qenë një ditë me fat për Vllazninë. Ose e thënë më ndryshe, “dy gëzime në një ditë”. Ndërkohë që në stadiumin “Reshit Rusi”, me fitoren e thellë 4-0 ndaj Kastriotit, djemtë e teknikut Cungu firmosin kualifikimin në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, vetëm pak minuta më pas, në sallën e Këshillit Bashkiak zhvilloheshin në punimet e Asamblesë së KF Vllaznia. Madje, në mbledhjen e djeshme u firmos edhe një vendim i rëndësishëm për vazhdimësinë e kuqebluve. Punimet e shtyra nga java e kaluar për arsye të mospranisë së kuorumit të kërkuar, këtë radhë kanë rezultuar pozitive.

SHIFRAT – Bëhet fjalë për një fond prej 170 milionë lekësh të vjetra, të cilin në fakt në Shkodër e kanë miratuar që më 3 gusht por ky vendim u kthye nga Prefekti sepse duhej miratuar nga Asambleja dhe jo nga Këshilli Bashkiak. Ndërkaq, me propozimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Xhemal Bushati, është miratuar edhe një kërkesë e këtij Këshilli drejtuar kryebashkiakes Ademi për ta autorizuar atë të negociojë me FSHF-në për mbylljen sa më parë të punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” dhe marrjen në dorëzim të këtij impianti sportiv. Pjesëtarët e asamblesë së djeshme, që janë anëtarë të këshillit bashkiak, këtë radhë kanë qenë “OK” sa i përket numrit të kërkuar, megjithatë për hir të së vërtetës, debatet e forta nuk është se kanë munguar, shoqëruar edhe me kritika nga të dy krahët e politikes në drejtim të klubit kuqeblu. Megjithatë, në momentin e votimit, të gjithë pa përjashtim janë treguar të gatshëm të votojnë pro kalimit të fondit financiar parashikuar për arkën e klubit kuqeblu. Fond ky, që tashmë siguron kalimin e rrogave të prapambetura në numrat e llogarisë së secilit futbollist, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe qetësinë e duhur pikërisht përpara një ndeshje shumë të rëndësishme ai ajo me Laçin, e cila do të zhvillohet ditën e shtunë.

Image may contain: 5 people, people sitting and indoor

Vllaznia argëtohet me Kastriotin para Laçit

 

Vllaznia – Kastrioti   4-0

Shënues: Tafili 11′, Ribaj 29′, Borshi 62′ (aut), Vucaj 77′

Vllaznia: Sherri, Gocaj (Mehmetaj 67′), Pjeshka, Orelesi, Gurishta, Kruja (Çinari 46′), Tafili, Vucaj, Krymi (Hasani 52′), Kalaja, Ribaj. Trajner: A. Cungu. (Në dispozicion: Selimaj, Lika, Bardulla, Marku).

Kastrioti: Spahija, Hoxha (Neziri 46′), Lila, Borshi, Boci, Lilaj, Laca, Karakaçi (Myrta 66′), Dyca (Muçmataj 60′), Xhaferri, Marku. Trajner: S. Nikaj. (Në dispozicion: Kukaj, Gjonaj, Keçi, Tema).

Gjyqtarë: E. Hoxha, P. Simoni, E. Muça (Lezhë)

 

Kartonë të verdhë: Orelesi 85′

Golat

11′ Pas një sulmi të Vllaznisë, është mesfushori Alsid Tafili që gjuan mjeshtërisht nga një distancë rreth 20-metra. Pasi godet më parë në shtyllën horizontale, topi përplaset më pas poshtë, tek vija fatale që për kryesorin dhe anësorin është gol. Kuqeblutë i gëzohen golit, ndërkohë që miqtë reagojnë duke pretenduar se topi nuk e ka kaluar vijën fatale!

29′ Goditje këndi nga e djathta për Vllazninë, ekzekuton Vucaj, topi shkon në zonë, largohet për momentin nga portieri Spahija, por këmbëngulja e Ribajt bën që Vllaznia të shënojë duke dyfishuar avantazhin në 2-0.

60′ Tjetër goditja këndi për kuqeblutë që vë në vështirësi miqtë. Mbrojtësi i Kastriotit Ergi Borshi në përpjekje për ta larguar topin nga zona e dërgon në rrjetën e tij. 3-0 për Vllazninë.

77′ Tjeter gol mjeshtëror i kuqebluve. Këtë radhë me protagonist Vucajn, i cili pas një topi të marrë nga kolegët e tij, sapo është futur në zonë, ka gjuajtur shpejt dhe saktë duke e dërguar topin në trekëndëshin e majtë të portierit krutan. 4-0 për Vllazninë, rezultat që mbyll të gjithë ndeshjen në favor të kuqebluve.

 

Komenti

Me nga dy gola në secilën pjesë, Vllaznia ka “likuiduar” pa problem ekipin krutan të Kasriotit. Nga 0-0 në përballjen e dy javëve më parë në Krujë, 4-0 dje në “Reshit Rusi”, dhe Vllaznia kalon automatikisht në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Në pamje të parë, rezultati i thellë 4-0 të jep përshtypjen se ka qenë një ndeshje pa rezistencën e skuadrës mike, duke të dhënë përshtypjen se Kastrioti nuk e ka mendjen tek kupa dhe mendon për kampionatin. Por, për hir të së vërtetës, fusha e lojës paraqiti tjetër gjë. Kastrioti i mirë investuar për në Superiore me 6 shkodranë në përbërje, 5 në fushë (Spahija, Borshi, Boci, Kakaçi, Dyca) dhe një në bankinë (trajneri Nikaj) ka qenë tepër kërkues në fushën e lojës. Madje, edhe me një luftë shumë të fortë sportive për topin e parë, aq sa në tre momente, titullarët Pjeshka, Orelesi dhe Gocaj kanë marrë dëmtime të rënda duke vënë në dyshim vazhdimësinë e takimit. Megjithatë, referuar ecurisë së takimit, përpos episodeve të katër golave të shënuar në portën e Spahisë, njëri më i bukur se tjetri me autorë: Tafilin, Ribajn, Vucajn dhe autogolin e Borshit, Vllaznia pati edhe raste të tjera shënimi, sidomos me goditjen e dënimit të Krujës, në minutën e 8-të ku Kalaja dhe Pjeshka nuk arrijnë ta shtyjnë në rrjetë. Pa harruar edhe goditjen tjetër të dënimit, të ekzekutuar nga Gocaj në të 25-tën minutë që Orelesi me kokë e godet jashtë. Nga ana tjetër, i vetmi rast për t’u shënuar nga miqtë është ai i minutës së 33-të, kur shkodrani Denis Dyca rrezikon në zonë përballë portierit Sherri. Një fitore kjo e pritshme për Vllazninë që kualifikohet në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, aty ku tashmë kundërshtari i radhës do të jetë Tirana. Por, gjithsesi, pa shkuar deri tek turi i dytë i kupës, ku ka shumë kohë për të ardhur, përballja e djeshme me krutanët, ndër të tjera i ka shërbyer teknikut Cungu edhe për kolaudimin e skuadrës në prag të ballafaqimit me Laçin në fundjavë. Ishte kjo arsyeja që formacioni kuqeblu pati edhe gërshetime në reparte të veçantë, duke nisur nga porta me të riun e talentuar Alen Sherri, që luajti me sukses në 90-të minuta, si dhe repartet e tjerë, me qëllimin e lënies pushim të ndonjë titullari për të qenë sa më të freskët në transfertën me Laçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *