Klubi shkodran menaxhohet 100% nga bashkia. Miliona të çuar dëm, vite të tëra pa suksese, në fushë e jashtë saj, pse vazhdohet me këtë mënyrë administrimi?
Vllaznia dhe Lushnja, një herë e një kohë e shumta do ta shihnin njëra-tjetrën në skaje të kundërta në Superiore dhe dihet kush do ishte më lart. Tani duken si dy “të dënuar” në pritje të vendimit final të gjykatës. Janë të vetmit klube në Superiore që financohen dhe menaxhohen 100% nga bashkitë përkatëse dhe si për koincidencë dy klube bien nga kategoria. Lushnja ka një justifikim madhor: është një qytezë e vogël, bashkia bën sa mundet dhe nuk i kërkon askush të fitojë titullin. Nëse mbijeton, e ka fituar titullin e vet, nëse nuk ia del, të paktën krenohet me faktin që ka një ekip tërësisht shqiptar, si asnjë klub tjetër në Superiore. Po Vllaznia? Një klub legjendar, që mjafton një fjali për t’i vënë vulën gjithçkaje: në kohën e vet të artë i duhen dy stadiume për të kënaqur gjithë tifozët, ndërsa sezonet e fundit ka pasur ndeshje kur nuk shkonin më shumë se 150 vetë në stadium, edhe ata rastësisht aty, si të zënë në hall.
RRËNIMI I NJË KLUBI FITUES – Deri para disa vitesh, Vllaznia ishte një makineri perfekte: prodhonte lojtarë, mbushte stadiumin, fitonte trofe, apo i shkonte pranë, luante në Europë dhe mbushte arkën duke kaluar disa herë turin e parë. Në Shkodër e kanë të qartë që Vllaznia e fundviteve ’90, që fitoi dy tituj kampionë, në 1998 dhe 2001, zor se kthehet më për shumë vite, por një Vllazni si ajo e Fushajt, deri në vitin 2011, ishte goxha mirë dhe pëlqehej, edhe pse nuk kishte forcën të fitonte titullin. Po tani? Mbijetesa e sezonit të fundit ishte për infarkt, nga ato që është turp t’i mendosh, e jo më t’i festosh, nëse quhesh Vllazni. Nëse ndodh një herë në shumë vite, edhe pranohet, por Vllaznia po luan me zjarrin. E mbani mend Tiranën e viteve të fundit? Rënie graduale, dobësim në çdo drejtim, por sezonin e fundit askush nuk e mendonte rënien, derisa ajo erdhi, brenda në Shkodër. E zhyti Vllaznia, që shpëtoi veten mes mijëra vuajtjesh, por Vllaznia e sezonit të ri, përtej përforcimeve dhe përpjekjeve, ka humbur aq shumë lojtarë, saqë duket një eksperiment që nuk përfundon kurrë.
MENAXHIMI I DËSHTUAR NGA BASHKIA – Nuk është problemi vetëm te Vllaznia, të jetë e qartë. Ku ka gisht bashkia, praktikisht ka probleme. Tirana e viteve të fundit është fundosur edhe nga bashkia, Flamurtari ka vite që bën luftë me Bashkinë, e kështu me radhë. Vetëm atje ku nuk i fut hundët fare bashkia, ka sukses: Skënderbeu, Kukësi, Partizani… rastësi? Problemi i parë madhor është që bashkitë shqiptare nuk e kanë fuqinë që të përballojnë shpenzimet e një klubi futbolli. Me nivelet që kemi arritur, edhe 1 miliard lekë mund të mos mjaftojnë për të ndërtuar ekip serioz, ndërsa bashkia Shkodër krenohet se shpenzojnë rreth 600 milionë lek në vit. Lekët e kujt? Dihet përgjigja. Një president i zgjuar, me 600 milionë lekë mund të shkonte qetësisht në kupat e Europës. Pyesni Pashk Laskën. Në Shkodër nuk kapin dot as mesin e qetë, të paktën. Do të thotë që milionat hidhet kot, nuk kuptohet nga dalin e nga hyjnë.
INVESTITORËT E MUNGUAR – Skënderbeu e Kukësi u bënë thuajse nga zero, meritë e biznesmenëve, natyrisht me ndihmën e duhur nga bashkitë përkatëse. A ekzistojnë biznesmenë në Shkodër, të aftë të marrin, të ringrenë Vllazninë dhe ta kthejnë ku duhet, si në renditje, ashtu edhe në menaxhim e në financa? E vështirë të thuhet që nuk ka, është e pamundur që një qytet aq i madh, aq futbolldashës, mos të ketë njerëz edhe të pasur, edhe tifozë. Ose të paktën të pasur të zgjuar. Futbolli në Shqipëri nuk është vetëm biznes, është edhe prestigj. Mjafton të shohim presidentët e klubeve tanë: pa futbollin, shumica prej tyre nuk do ta shihnin veten përditë në televizion e gazeta edhe sikur të paguanin nga xhepi. Atëherë, ku është problemi te Vllaznia? Përse trumbetohen me të madhe vlerësim klubi e procedura privatizimi, që më pas harrohen? Në bashki e në klub dinë shumë gjëra që gazetarët dhe populli nuk i di, por tifozi nuk do t’ia dijë për procedura, për ligje, për pengesa. Tifozi dëshiron skuadër të mirë, futboll të bukur e fitues.
TALENTET – A është e mundur që Tirana këtë vit të fitojë miliona pa fund nga talentet e saj, edhe pse ra nga kategoria, ndërsa Vllaznia mos të arkëtojë asgjë? Iku Hebaj, falas, mund të iknin edhe të tjerë, ashtu si vitet e shkuar. Askush nuk troket te Vllaznia prë të blerë lojtarë. I marrin, lehtësisht, nuk dihet si. Parametër zero, pikërisht për faktin se bashkia nuk ka fuqi financiare të firmosë kontrata afatgjata me talentet e saj, që largohen shpesh me duar në xhep, apo duke paguar ndonjë shifër të vogël. Absurditeti është se akademia e Vllaznisë vazhdon të funksionojë, është ndër më të mirat në Shqipëri, mjafton të shohësh emrat e viteve të fundit, por edhe të shohësh djemtë e rinj shkodranë që ngjitën Vllazninë B në Kategorinë e Parë.
MENAXHIMI I SKUADRËS – Lojtarët e nivelit të lartë kanë vite që nuk e marrin më në konsideratë Vllazninë. Shkoi Bakaj, por shkoi nga halli. Skuadra e sezonit të shkuar u ndërtua me arnime, si zakonisht, ndërsa në fund u akuzuan jabanxhinjtë për çdo të keqe te klubi shkodran. Ikën të gjithë, u fol për ekip shqiptar, sepse Shkodra ka vetë plot talente, por ndërkohë klubi firmos me një sulmues ganez që ka luajtur një fshatrat e Gjermanisë, Finlandës dhe Lituanisë, ndërsa Orelesi firmosi dhe kërcënoi me largim sepse klubi nuk kishte para t’i paguante këstin e parë. Po faza përgatitore? Nuk bëhet fare, sepse nuk ka fonde. Më keq se kaq, nuk ka ku të shkojë. Ose jo, ka ku të shkojë. Rokadë me Tiranën majin e ardhshëm.