Vllaznia e nis kampionatin në shtëpi kundër Korabit. Nesër në “Loro Boriçi” skuadra e drejtuar nga Hasan Lika kërkon tre pikët e para, ndërkohë që trajneri kryeqytetas ka dalë sot para mediave në një konferencë për shtyp.
“Jemi gati për nisjen e kampionatit, pavarësisht se jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ka pasur probleme. Ka pasur gjatë gjithë kohës bisedime me futbollistët për pjesën financiare. E gjithë skuadra është e bindur se duhet të ishin bërë këto lëvizje”, u shpreh fillimisht Lika.
MERKATO – “Në përgjithësi jam i kënaqur me prurjet dhe rinovimet, me gjithë kohën që kemi pasur në dispozicion. Tre-katër javët e fundit është grumbulluar dhe stërvitur skuadra. Më atë që kemi pasur mundësi jemi të kënaqur dhe të gatshëm për ta përballuar me sukses sezonin. Jemi në përmirësim të vazhdueshëm, mund të bëjmë ndonjë lëvizje gjatë janarit.
KALENDARI – “Po e shkruajnë të tjerët dhe po bëhet jehonë se është favorizues. Por për ne nuk është kështu, të gjitha skuadrat janë njësoj. Pavarësisht se jemi Vllaznia, duhet të jemi të gjithë të bindur se kampionati është i fortë, i vështirë dhe na duhet të impenjohemi për të arritur suksesin”.
LARGIMET E TË RINJVE – “Kanë qenë në provë një pjesë e lojtarëve, ka qenë një proces seleksionimi. Nuk ka futbollistë të pavlefshëm, por një pjesë janë më përpara për t’u aktivizuar. Të tjerët mund të luajnë me skuadra të tjera”.
KORABI – “Çdo ndeshje luajmë për fitore, brenda dhe jashtë. Jemi përgatitur për diçka të tillë. Duhet kuptuar se duhet dhënë maksimumi. Korabi me premio? Nuk mendoj se një skuadër nuk shkon në një ndeshje me besimin për të fituar. Nuk vijnë me mendimin e thjeshtë për të bërë një ndeshje futbolli. Çdo skuadër, pavarësisht emrit, vjen për të dhënë maksimumin. Të gjithë kërkojnë maksimumin. Kudo punohet dhe këtë duhet ta kemi parasysh”.
TIFOZËT – “Pezmatimi i tyre kuptohet shumë mirë. Në një ditë të vështirë janë tifozët që e çojnë skuadrën e tyre përpara. Ne jemi këtu për të punuar të gjithë së bashku për ta çuar Vllazninë përpara. Do japim maksimumin për tifozët dhe së bashku me ta ta çojmë Vllazninë në Superiore”.