Vllaznia është nderuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta. Ky i fundit, një ditë më parë ka vlerësuar klubin shkodran me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Kreu i shtetit është shfaqur i lumtur dhe në një ceremoni të zhvilluar në teatrin “Migjeni” a vlerësuar edhe disa figura të futbollit shkodran.
“Një ditë e mrekullueshme sot në Shkodër locen, djepin e qytetërimit tonë modern, kulturës, vlerave patriotike dhe ndjenjave të forta liridashëse, ku pata nderin e veçantë të vlerësoj me titullin e lartë “Nderi i Kombit” Shoqërinë Sportive “Vllaznia” me rastin e 100-vjetorit të themelimit të saj.
Shumë i lumtur që në këtë ceremoni solemne të përuronim së bashku me kryebashkiaken, Voltana Ademi vendosjen e memorialit përkujtimor për të lënë të gdhendur nderimin për “Vllazninë”, sportistët e saj dhe bijtë e shquar të Shkodrës, të cilët aq shumë i kanë dhënë këtij qyteti dhe çështjes shqiptare”, shkruan Meta në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
Ndërkohë klubi shkodran bën me dije dhe figurat e nderuara gjatë ceremonisë: “Presidenti i Republikës z. Ilir Meta në ceremoninë e zhvilluar në teatrin ‘Migjeni’ për 100 Vjetorin e Vllaznisë ka nderuar edhe disa figura të mirënjohura të futbollit shkodran si Sabah Bizi, Xhevdet Shaqiri (pas vdekjes), Astrit Hafizi, Hysen Zmijani, Bardh Jera, Edi Martini dhe Vioresin Sinani”.