Vllaznia i falet një braziliani, nis mbarë rrugëtimi drejt Superiores

Tre pikë për Vllazninë dhe në këtë mënyrë shkodranët e nisin mbarë kampionatin në Kategorinë e Parë. Kuqeblutë mposhtën Korabin me rezultatin e ngushtë 2-1, por duhet thënë se ndeshja u dominua plotësisht nga Vllaznia.

Ndeshja u zhbllokua në shtesë nga Arsen Hajdari, ndërkohë që në pjesën e dytë ishte Murrja ai që barazoi shifrat. Gjithsesi reagimi i skuadrës së Hasan Likës ishte ai i duhur dhe Zhunior me golin e tij i dha fitoren Vllaznisë.

NDESHJA – Shkodranët e drejtuar nga Hasan Lika kanë dominuar fraksionin e parë të lojës, por vetëm në minutat shtesë kanë arritur të shënojnë golin e avantazhit. Dibranët u mbrojtën me forca të shumta, por gjithsesi rastet janë disa për Vllaznia.

Gocaj, Lika dhe Zhunior kanë tentuar të shkojnë te goli, pa sukses. Portieri Kadri Birja e ka mbajtur portën e tij gjatë kohës rregullt, por në shtesë ishte Hajdari që realizoi golin që zhbllokoi ndeshjen.

Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Gilman Lika, topi shkoi në shtyllë dhe mbeti në zonë. Mesfushori Hajdari i ndodhur aty pranë nuk fali dhe shënoi golin e vetëm të Vllaznisë. Një detaj për t’u veçuar nga ky takim janë uniformat e dy ekipeve, që i kanë të ngjashme. Kjo e bën të vështirë që të dallohen skuadrat në fushën e blertë.

Vllaznia ishte më aktive dhe më kërkuese edhe në pjesën e dytë, por në minutën e 66-të u befasuan nga Murrja, i cili me një goditje brenda zonës arriti të shënojë golin e barazimit. U desh një devijim i Ignat për të bërë që Sherri të mposhtej.

Barazimi nuk mund të pranohej nga shkodranët dhe ishte braziliani Zhunior ai që riktheu avantazhin për Vllazninë. Sulmuesi shfrytëzoi një krosim të Markut në zonë dhe me një goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Kuqeblutë sërish në avantazh, ndërkohë që Dejvi Bilali kishte mundësinë të shënonte edhe golin e tretë. Gjithsesi rezultati nuk ndryshoi dhe Vllaznia fitoi me rezultatin 2-1.

 

KATEGORIA E PARË  – JAVA 1

E shtunë, më 8 shtator 2018, ora 16:00
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër

Vllaznia-Korabi 2-1
Shënues: Hajdari 45+3’, Zhunior 94’ /Murrja 66’

Vllaznia: Sherri, Gocaj, Gurishta, Ignat, Marku, Krymi, Tafili, Lika, Hajdari (Bilali 58’), Zogaj (Ruqi 83’), Zhunior (Pusi 82’). Trajner: Hasan Lika
Korabi: Birja, Kalluçi, Doçi, Dida, Karaj, Raza (Skuka 77’), Osmani, Hoxha, Duka, Murrja, Kovaçi (Lika 60’). Trajner: Donald Mëziu

Karton të verdhë: Krymi 37’, Gocaj 69’ / Karaj 71’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *