Mbijetesa u arrit, festa ishte legjitime, por tashmë Vllaznia duhet të kthehet në realitet dhe të përballet me hallet e mëdha që e kanë zënë.
Një ndër problemet më të mëdha për klubin së fundi ka qenë një gjyq me Gea Sport, kompania zvicerane që mori për pak kohë menaxhimin e klubit, por u largua mes polemikash pa fund, duke premtuar betejë ligjore.
Tani betejën e ka humbur Vllaznia, që i detyrohet 74.000 euro Gea Sportit, përveç 2600 euro shpenzimet e gjyqit.
Për pasojë, është vendosur sekuestro pasurie me urdher të Zyrës Përmbarimore L.D.C. dhe duhet paguar urgjentisht borxhi.
Një situatë kaotike, që zvarritet prej vitesh, ndaj tashmë është e qartë që në gjendjen aktuale Vllaznia nuk mund të vazhdojë të funksionojë, për të mos përfunduar në Kategorinë e Parë, rrezik që këtë vit e shmangu me betejën epike ndaj Tiranës.