Janë të shumtë ata lojtarë që kërkojnë të hyjnë në futbollin e madhe përmes Superiores. Njëri prej tyre ishte edhe sulmuesi Luis Kaçori, i cili në Shqipëri është testuar te Vllaznia dhe Partizani, por asnjëri prej këtyre dy klubeve nuk u bind t’i ofronte një kontratë 20-vjeçarit.
Tashmë për sulmuesin shtatlartë ka trokitur fati në derë, pasi në mediat italiane raportohet se skuadra e Serisë B, Karpi, ka arritur marrëveshjen me sulmuesin, që pritet të zyrtarizohet. Sezonin e fundit, i riu i lindur në Viterbo, ka qenë pjesë e Ixhea Virtus dhe ka arritur të realizojë 7 gola në 31 ndeshje.
Kaçori ka marrë edhe një urim nga lojtari i kombëtares, Andi Lila, i cili i ka dedikuar një postim në llogarinë e tij në “Instagram”.