Vllaznia, drejt privatizimit

Kryebashkiakja Ademi konfirmon përgatitjen e procedurave përkatëse. Shumë shpejt ankandi për shitjen e aksioneve

Gaspër Marku

Për Vllazninë ka lajme të mira. Në institucionin vendor të bashkisë po punohet për procesin e vlerësimit të aseteve, që përmban në tërësi klubi, për të kaluar pastaj në shitjen e aksioneve për personat e interesuar. Lajmin e bën të ditur vetë kreu i Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. “Aktualisht jemi në procesin e vlerësimit të aseteve për sa i përket daljes së ankandit të shitjes së aksioneve dhe pastaj do të vijojmë sipas procedurës përkatëse për privatizimin e Vllaznisë”, – u shpreh dje Ademi gjatë një prononcimi për mediet lokale. Numri 1 i qytetit Shkodrës, njëherazi edhe presidente e Vllaznisë, përcjell një lajm jashtëzakonisht të mirë, për të cilin diskutimet kanë qenë të shumta. Vllaznia administrohet aktualisht nga bashkia, që financat në dispozicion të futbollit i ka të kufizuara, pasi vijnë nga fondet e siguruara prej taksave të qytetarëve shkodranë. Megjithatë, bashkia ka bërë maksimumin në këtë drejtim dhe sezonin e fundit pati një farë lëvizjeje për mirë, kur skuadra për një periudhë ishte në pozicione komode në renditje, por javët e fundit lëshoi terren, duke rrezikuar qëndrimin si në sezonet e mëparshme. E gjitha kjo vjen nga mungesa e sponsorëve, donatorëve apo një presidence nga komuniteti i biznesit. Faktet tregojnë se përpara se ta merrte administrimin bashkia, sponsorët kanë arritur ta mbajnë Vllazninë në nivel të lartë, në vendet e para të klasifikimit, madje duke fituar edhe trofe dhe duke marrë pjesë në Kupat e Europës. Nga bashkia nuk ka munguar interesimi dhe përkushtimi për ta mbështetur Vllazninë, madje në shumë raste duke marrë edhe riskun e kritikave për akordimin e shumave të mëdha, që mund të përdoren për nevojat e qytetit, por tani situata është vështirësuar. Bashkia nuk mund të administrojë një klub me kërkesa të mëdha financiare si Vllaznia. Kjo arsyeja, që me iniciativë të vetë kryetares së bashkisë, strukturat përkatëse vendore kanë nisur punën për përpilimin e dokumentacionit përkatës sa i takon privatizimit.

Interesimi i biznesit dhe kompania “Doshi”

Për momentin nuk ka një alternativë konkrete, që konfirmohet zyrtarisht nga bashkia, por në opinion flitet për një interesim jo të vogël për marrjen e administrimit të Vllaznisë. Më i lakuari është ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i cili e njeh mjaft mirë menaxhimin e një klubi futbolli, pasi në kohën e tij skuadra pati rezultate pozitive. Thuhet se ka pasur interesim jo vetëm për sponsorizim nga një kompani amerikane, po ashtu edhe një tjetër koreane, që përfaqësohej nga ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata. Madje, për një gjë të tillë janë lakuar edhe emrat e Lutfi Nurit dhe Armand Dukës, të cilët në raste të veçanta edhe i janë gjendur pranë Vllaznisë. Gjithsesi, ajo që është më e freskëta në këtë drejtim, është pista “Doshi”. Informacionet nga njerëz të afërt të deputetit shkodran bëjnë të ditur se, edhe pse ai nuk shquhet si tifoz i madh, falë dashamirësisë që ka për skuadrën e qytetit të tij, ka sakrifikuar nga biznesi i tij për të ndihmuar Vllazninë. Dhe jo vetëm te futbolli, sepse sponsorizimet e tij kanë qenë prezente edhe në sporte të tjera, sidomos tek boksi. Deklaratat e fundit të tij janë shoqëruar me një reagim të madh pozitiv në qytetin e Shkodrës. Ashtu siç është bërë e ditur ditë më parë në “Sport Ekspres”, z,Doshi dhe bashkëpunëtorë të tij kanë gati një projekt, që do ta dorëzojnë së shpejti në bashki, me pretendimet e angazhimit në procesin e privatizimit të Vllaznisë. Pra, janë gati të blejnë aksionet e para, që pritet të dalin në treg. Por, nga sa shikohet, një proces i tillë nuk duket se mund të jetë shumë i shpejtë. Deklaratat e Doshit pritet të gjejnë zbatim fillimisht me sponsorizimin e një shume të konsiderueshme, që do t’i afrohet klubit në formën e reklamës. Konkretisht, me të gjitha gjasat, emri i kompanisë “Profarma” pritet të stampohet në uniformat e kuqebluve, duke qenë zyrtarisht sponsor gjeneral i Vllazninë për sezonin 2017-2018. Më pas do të vijohet edhe me proceset e tjera të privatizimit për blerjen e aksioneve në ankand.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *