Evitoi fundosjen që në fillim të ndeshjes dhe mbajti lart entuziazmin e skuadrës dhe tifozëve, pasi kreu dy pritje të shkëlqyera që në fillim. Strakosha tashmë është një garanci, duke u gjendur gati, që në 5 minutat e para. Kjo ka bërë që në mediat italiane të vlerësohet jashtëzakonisht lart paraqitja e portierit të kombëtares sonë, i cili ka marrë nota nga 7 e lart në përgjithësi. “Vetëm për dy pritjet në fillim të ndeshjes do të meritonte një statujë në Formelo: mban në këmbë një ndeshje që dukej se nisi ters, në pritje që Lacio të ngrinte kokën dhe Imobile të gjente hapësirën e duhur për të goditur”, shkruan “calciomercato.com”. Në fund nuk e humbet qetësinë, edhe pse pësoi dy gola, i dyti me 11-metërsh, i pari me goditje dënimi të gjuajtur në mënyrë perfekte nga Dibala, edhe pse muri mund të vendosej pak më mirë. Superkupë që mban edhe emrin e Strakoshës.
Trofeu i dytë për Strakoshën
Për Tomas Strakoshën ky është trofeu i dytë si profesionist në Itali. Por këtë herë ka vërtet një shije ndryshe, sepse ai ka qenë protagonist në fushë. Më 26 maj të vitit 2013 Strakosha fitonte kupën e Italisë me Lacion në derbin përballë Romës (1-0) falë golit të Senad Luliç. Por asokohe Strakosha ishte në stol, teksa Marketi mbante vendin e titullarit. Katër vjet më pas një tjetër trofe për portierin e kombëtares sonë. Por superkupa kundër Juventusit shijon vërtet shumë, sepse këtë herë ai ishte titullar.