Ndonëse nuk ka ndonjë saktësi të madhe, transfermarkt.de përdoret jashtëzakonisht nga klubet dhe menaxherët kur bëhet fjalë për vlerësimin e lojtarëve dhe natyrisht shërben si referencë edhe për klubet shqiptare.
Kukësi këtë verë ka humbur falas lojtarin e vet më të kushtueshëm, sepse Albi Alla brenda një viti ka shkuar nga 250.000 euro në 400.000 euro, si vlerësim në tregun e futbollistëve.
Natyrisht, Kukësi nuk përfiton asgjë, pasi kishte një kontratë një-vjeçare me mbrojtësin, edhe pse aktualisht ka ende një mosmarrëveshje të pazgjidhur, sepse Kukësi i kërkon Allës të kthehet, për faktin se ka një klauzolë që e detyron të luajë në kupat e Europës.
Ashtu si pritej, është rritur edhe vlera e Enea Koliçit, i cili pas një sezon të shkëlqyer vlen 325.000 euro, nga 125.000 që kushtonte më shumë se një vit më parë.
Nuk mbeten pas as Zhan Karioka (350.000 euro vlerësimi i ri) dhe Besar Musolli (325.000), ndërkohë që ka pasur rritje të lehtë edhe vlera e Izair Eminit, i cili tashmë kushton 350.000 euro.
Në total, duke shtuar edhe afrimet e fundit, Kukësi vërtitet te 5 milionë eurot si vlerë në treg, pranë Partizanit, që ka humbur lojtarë me vlerë të lartë në treg, duke nisur nga Ekuban.