Vjen firma, tani Zeqiri është i Kukësit

0

Lajmi për kthimin te Kukësi ishte dhënë prej ditësh, por sot ka ardhur edhe firma e shumëpritur dhe Hair Zeqiri është futbollisti më i ri i Kukësit.

Zeqiri ka qenë një kërkesë e trajnerit Ernest Gjoka, i cili e ka pasur në planet e tij prej javësh, por klubi verilindor kishte qëndruar pasiv për një kohë të gjatë, para se të niste një valë përforcimesh mjaft cilësore.

Vlonjati kishte disa muaj pa ekip, pas prishjes së kontratës me Flamurtarin. Tani mesfushori kthehet tek një nga ish-klubet e tij, sepse te Kukësi ka qenë një lojtar kyç në sezonin 2014/2015, para se të kthehej në Vlorë.

Në sezonin e fundit Zeqiri luajti 16 ndeshje kampionati si titullar në Vlorë, por pas humbjes 1-2 ndaj Besëlidhjes për kupë në Vlorë pati një debat të ashpër me administratorin kuqezi Sinan Idrizi. Tashmë fantazisti kthehet në Kukës, ku është bindur edhe nga fakti se aty gjen një nga ish-trajnerët e tij, Ernest Gjokën.

Sot Zeqiri ka qenë në selinë e Kukësit i shoqëruar nga menaxheri Elton Marini dhe më në fund janë zgjidhur edhe disa paqartësi të vogla në lidhje me kontratën e tij, që është korrigjuar dhe është firmosur nga palët, ndaj për sezonin e ardhshëm fantazisti është i Kukësit. Tani trajneri Gjoka ka për detyrë ta kthejë në formë perfekte fizike, pasi ndeshjet ndaj Sherifit janë në horizont.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.