Derbi i Anamoravës ka një fitues dhe është Drita skuadra që ka festuar në fund. Gjilani nuk ka rezistuar dot ndaj kampionëve në fuqi të Kosovës, pasi ndeshja përfundoi me rezultatin e ngushtë 3-1. Një takim që pati spektakël në tribuna si zakonisht, me Intelektualët që në fund festuan me lojtarët e tyre.
Ndeshja nisi me gol të shpejtë të kapiteni Limani, i cili shënoi që në minutën e tetë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, ndërkohë që në të dytën ishte Fiton Hajdari, ai i cili me një goditje me kokë mposhti portierin Kirev. Baraspesha zgjati vetëm 2 minuta, pasi sulmuesi Nuabeze shënoi golin e avantazhit. Në shtesë ishte Erjon Vucaj ai që shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur kështu takimin.
Ballkani, i përforcuar ndjeshëm në merkaton e janarit, ka likuiduar Drenicën me rezultatin e pastër 2-0. Talenti Baftiu zhbllokoi sfidën që në minutën e 12-të dhe pjesa e parë u mbyll me këtë gol në fuqi. Kuc në të 73’ realizoi edhe golin e sigurisë.
Ferizaj po përpiqet të dalë nga zona e ftohtë dhe ndeshjet në shtëpi duhen fituar me çdo kusht. Kështu ka ndodhur me rivalët e Trepça ’89, që i kanë likuiduar për tre minuta. Genc Hamiti ka realizuar dy herë në minutat 12 dhe 14 dhe deri në fund rezultati ka mbetur i pandryshuar.
IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS – JAVA 18
E shtunë, më 16 shkurt, ora 13:00
Drita-Gjilani 3-1
Shënues: Limani 8’, Nuabeze 72’, Vucaj 95’ / Hajdari 70’
Ferizaj-Trepça ’89 2-0
Shënues: Hamiti 12’, 14’
Ballkani-Drenica 2-0
Shënues: Baftiu 12’, Kuc 73’
E hënë, më 18 shkurt, ora 13:00
Flamurtari-Prishtina
Liria-Feronikeli