Kampionati kroat ka nisur ditën e sotme fazën e tretë të tij dhe në fushë, e para zbriste Lokomotiva e Zagrebit, ku aktivizohet Myrto Uzuni dhe Lirim Kastrati. Viti i ri, duket se ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për lojtarin e kombëtares sonë, Myrto Uzunin.
Sfida e luajtur midis Lokomotivës së Zagrebit dhe Inter Zapresiçit ka përfunduar me fitoren e pastër të vendasve 2-0. Goli i parë për Lokomotivën është shënuar, pikërisht nga Uzuni, i cili dhe një herë është konfirmuar si një ndër më të rëndësishmit për ekipin e tij, teksa në minutën e 81-të shkundi rrjetën.
Goli i shënuar ishte i pesti për lojtarin e kombëtares sonë në kampionat. Kështu, 23-vjeçari vijon të ndihmojë Lokomotivën e tij, teksa këta të fundit ngjiten në vendin e tretë në kampionatin kroat, duke u barazuar në kuotën e 34 pikëve dhe me vendin e dytë të Osijekut.