Atmosfera në Buenos Ajros është në kulm dhe të gjithë po presin finalen e kthimit të Kupës Libertadores, River Plejt-Boka Zhuniors, të shtunën në stadiumin “Monumental” të Riverit. Sfida e parë u mbyll 2-2, ndërsa tashmë është beteja finale.
Stërvitja e fundit e Bokës në “Bombonera” është ndjekur nga rreth 50 mijë tifozë. Atmosferë e shkëlqyer dhe fantastike, ndërsa një tifoz ia ka dalë të futet në fushë. Për një moment të vetëm, pasi forcat e sigurisë e kanë bllokuar.
Ishin bërë gati ta godisnin dhe ta flaknin jashtë, kur një lojtar i del në mbrojtje. E kush tjetër përveçse Karlos Tevez? Sulmuesi, i njohur si “futbollisti i popullit”, është idhulli i tifozëve të Bokës dhe veprimi i tij merr duartrokitjet e stadiumit dhe një përqafim të ngrohtë nga ana e tifozit kurajoz.
Tevez i kërkon forcave të sigurisë ta lënë të lirë, ndërsa tifozi përfiton për të takuar dhe Abilen dhe Nandez. Më pas ndarja me Tevez. 34-vjeçari i dhuron tifozit bluzën e tij, ndërsa ky i fundit i dhuron kapelën e vet. Qëllimi i tij u arrit, tifozi ndihet në qiellin e shtatë dhe largohet nga fusha mes ovacioneve të turmës, me shpresën se lojtarët e Bokës do t’iu dhurojnë kupën e shumëpritur.