Liridon Latifi po shkëlqen me skuadrën e Akademia Pushkash. Pas një fillimi jo shumë të mirë, ish-sulmuesi i Skënderbeut ka gjetur formën e tij më të mirë dhe tashmë është një lider absolut i skuadrës hungareze. Në takimin kundër Paksi në kupën e Hungarisë, Latifi shënoi tri gola, duke i dhënë fitoren dhe kualifikimin ekipit të tij. 25-vjeçari u shpall dhe futbollisti më i mirë i takimit. Një nga golat, Latifi e shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa dy rrjetat e tjera ishin fantastike.
Me anë të një goditjeje dënimi, Latifi tregon vlerat e tij dhe ndëshkon portierin kundërshtar me një goditje shumë të bukur, që përfundon në trekëndëshin e portës. Ndërsa te goli tjetër, sulmuesi shqiptar depërton mirë në zonë dhe merr një pasim, gjuan me të parën dhe ndëshkon sërish portierin vendas në cepin e largët të portës. Një pasdite për të mos u harruar për 25-vjeçarin kuqezi.