Ali Soue, ja pse Krespo “garantonte” për të!

Nga Anton Cicani

“Eshtë një kafshë e vërtetë!”. Kështu Sabien Lilja e ka etiketuar në kuptimin e mirë të fjalës, por edhe trajneri i Flamurtarit, Duro, e vuri në dukje se bëhej fjalë për një futbollist që bën diferencën. Ishte vetëm ndeshja e parë në kampionat, por Ali Soue ka bërë për vete tifozët. Edhe pse, përpara tyre, bëri për vete një si Hernan Krespo, që në karrierën e tij golat i ka pasur si një karamele pas buke.. Penallti e fituar pa u mbushur 1 minutë lojë, agresiv në zonë dhe atletikisht një “përbindësh”

HISTORIA

E quajnë sulmuesi me “valixhe” dhe shokët e skuadrës thonë se asnjëherë nuk e rregullon dollapin e tij, pasi e di mjaft mirë se do të qëndrojë vetëm disa muaj aty ose maksimumi një sezon. Kështu është kur të japin në huazim dhe të provojnë. Kështu ndodh prej të paktën katër vjetësh për Ali Soue, sulmuesin nga Gambia në pronësi të Kievos, që u mor pas disa provash të zhvilluara nga “scout” të verdhebluve, në Afrikë, aty ku luante me skuadrën Gamtel.

Kievo e mori teksa ishte vetëm 19-vjeç dhe kishte zhvilluar një superparaqitje përballë ekipit U-19 të verdhebluve, në një turne në kontinentin e zi. Shkathtësia, driblimet por edhe shpejtësia për një trup aspak të shkurtër ishin ato që bënë për vete veronezët. Jo më kot, Sou do të debutonte në Serinë A me fanellën e verdhebluve, ndaj Torinos dhe Atalantës, edhe pse në total 25 minuta…

 

Deri tani, plot shtatë skuadra të ndërruara nga ai, duke nisur me Juve Stabia, Latina, Modena, Leçe, Prato dhe, së fundmi, Viboneze. Një trajektore e kthyer në vend, pasi Kievo e mori sërish, duke menduar një strategji “alla Ekuban”.

Në fakt, pasi pa shpërthimin e sulmuesit afrikan që veshi fanellën e Partizanit, vendosi kështu që t’ia jepte Skënderbeut në huazim. Dhe, mundësia më e mirë e tij do të jetë që vitin tjetër në Superligë të tregojë vlerat. Asnjë krahasim me Ekuban, por që nën sytë e një legjende si Hernan Krespo, kur drejtonte Modenën (dy vjet më parë) dukej me perspektivë.

“Krespo më ka thënë se duhet të vazhdoj kështu, golat do të vijnë”, u shpreh ai kohë më parë. Krespo e ndihmoi së tepërmi te Modena, edhe pse në 8 ndeshje nuk arriti të shënonte. Megjithatë, leksionet e argjentinasit i mori shënim dhe pas 6 golash me Vibonezen, është gati që të japë kontributin e tij me klubin korçar. Një bast që mund të fitohet, me durim dhe besim…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *