Rey Manaj e nisi nga stoli ndeshjen e sotme me skuadrën Rajo Mahadahonda, megjithatë i kanë mjaftuar vetëm pak minuta në fushë për të nderuar skuadrën e tij. Lushnjari u fut në minutën e 73-të dhe 11 minuta më vonë arriti që të shënonte golin i cili vendoi fatin e takimit.
Ishte goli i pestë për këtë edicion në ligën spanjolle për 21-vjeçarin, i cili i dha një mesazh të qartë trajnerit se duhet të besojë më shumë te aftësitë e tij. Lojtari kuqezi u ka dhuruar një fitore për festat e fundvitit tifozëve të Albasetes.
Skuadra e Manajt tani e sheh veten në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak se ekipi i vendit të parë. Sulmuesi ka pasur besimin e trajnerit Kristian Panuçi, i cili e ka grumbulluar në ndeshjet e Kombëtares në takimet e fundit.