Juventus është befasuar në shtëpi, pasi u mund sot në Torino nga Mançester Junajtit. Në një ndeshje të pabesueshme, bardhezinjtë ishin shumë të pafat, pasi e goditën dy herë shtyllën, fillimisht me Kedirën, ndërsa më pas me Dibalën. Duhej një gol fantastik i Ronaldo, që “Zonja e Vjetër” të kalonte në avantazh. Goli i parë i portugezit me fanellën e Juves në arenën ndërkombëtare, megjithatë në fund nuk pati gëzim.
U deshën vetëm 4 minuta anglezëve që të shënonin dy gola dhe të merrnin hak për atë humbje të dy javëve më parë. Fillimisht Mata dhe më pas një autogol i Aleks Sandro përmbysën rezultatin, duke i shkaktuar humbjen e parë për këtë edicion Juventusit në të gjitha garat. Hapet gara për vendin e parë pas kësaj ndeshje, por kampionët e Italisë janë një hap para të tjerëve.
Në ndeshjen tjetër, real Madrid ka bërë autokritikë pas një serie ndeshjesh zhgënjyese. Kampionët e Europës fituan 5-0 ndaj Viktora Pëlzen në transfertë. Spanjollët i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë ku Benzema shënoi dy herë, si dhe Bejl e Kasemiro nga një herë. Në fraksionin e dytë kishte vend dhe për një gol të Toni Kros, i cili vulosi rezultatin përfundimtar. Reali merr vendin e parë në grupin e saj, duke barazuar në pikë Romën.