Më në fund, po! Reali fitoi! Sa fjali e çuditshme, thënë me kaq bujë, për një klub të madh. Epo, nuk ka fare ekzagjerim, sepse madrilenët kanë harruar si fitohen pikët.
Marko Asensio kishte dhjetë ndeshje që nuk shënonte me fanellën e bardhë, por ia arriti dhe i dha fitoren skuadrës së tij (1-0) në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Leganesit, e vlefshme për fazën çerekfinale. Më në fund, madrilenët u rikthyen te fitorja, edhe pse jo në kampionat, aty ku sivjet kanë vuajtur shumë.
Prej tre vitesh nuk ndodhte që “Los Blancos” të mos pësonin asnjë faull në 45 minutat e para të takimit dhe kjo ndodhi pikërisht në transfertën e Leganesit, aty ku mjaftoi një gol për të arritur një fitore të madhe (psikologjikisht ka efekt më shumë se kurrë këtë sezon).
Asensio e gjeti rrugën e rrjetës në të 89’, kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim pa gola dhe ky do të ishte makthi i radhës për trajnerin Zinedin Zidan. Leganesi, faktikisht, pati shanset më të mira për të shënuar, veçanërisht në pjesën e dytë. Madrilenët ishin të lodhur dhe nuk u angazhuan aq sa duhej, plus që mungonin disa yje, me në krye Kristiano Ronaldon.
Vendësit iu afruan shumë golit sidomos kur një top shkoi në traversë. Fati i mirë, megjithatë, qe me kampionët e botës, të cilët fituan, ndryshe nga Barcelona, e cila u mposht një ditë para rivalëve të përbetuar në derbin e Katalonjës përballë Espanjolit. Trajneri Zidan tani mund të ndihet i qetë, por vetëm përkohësisht.
Vlen të theksohet një rast i mirë i mesfushorit Kovaçiç, i cili nuk u tregua i ftohtë në momentin e tij më të mirë. 45 minutat e para nuk patën asnjë rast ideal për gol dhe shumë pak pati edhe në të dytën, që tregon se Reali i Madridit ka probleme serioze në sulm. Zidan duhet të gjejë një zgjidhje, ose sezoni do të mbyllet vetëm me dështime.