Mohamed e Muguna zyrtarisht të Tiranës, të hënën në Shqipëri

0

Merr fund odiseja e dyshes keniane, kërkuar me ngulm nga Ze Maria. Të dielën nisen drejt Shqipërisë, pasi kanë marrë dokumentacionin

Dy yjet e Gor Mahias në Kenia, Musa Mohamed dhe Kenet Muguna, më në fund kanë marrë dokumentacionin dhe kanë mbyllur gjithë procedurat, duke prenotuar edhe fluturimin drejt Shqipërisë, për të dielën. Kjo do të thotë se tashmë gjithçka merr fund dhe dy futbollistët janë të Tiranës, pasi kanë arritur marrëveshjen prej kohësh për një kontratë dy-vjeçare, ndërsa firmat dhe prezantimi pritet në ditët e para të javës së ardhshme. Mohamed largohet nga Gor Mahia pa asnjë detyrim, sepse i përfundoi kontrata, ndërsa Muguna, i cili u bashkua me 16-herë kampiont e Kenias në fillim të sezonit të shkuar, tashmë transferohet në Shqipëri për 40.000 dollarë, pas marrëveshjes mes dy klubeve.

Musa Mohamed, duke u lutur para një ndeshjeje

MOHAMED – Qendërmbrojtësi 26-vjeçar, anëtar i rëndësishëm i kombëtares së Kenias, deklaron për Capital Sport në Kenia: “Jam shumë i kënaqur që kjo lëvizje më në fund u realizua dhe po pres me padurim të nis udhëtimin tim të ri. Kam punuar shumë për të mbërritur deri këtu dhe shpresoj të ruaj të njëjtën formë edhe në Shqipëri. Nuk do ta kem të vështirë të ambientohem, sepse bashkohem sërish me ish-trajnerin tonë Ze Maria, çka është madhështore. I njohim metodat e tij, e dimë si punon, ndaj nuk do të jetë shumë e vështirë të bëhemi pjesë e grupit. Dëshirojë të provoja një sfidë të re, sepse kam fituar gjithçka te Gor, ndaj për t’u përmirësuar duhen stimuj të rinj”. Mbrojtësi ka qenë i lidhur ngushtë me Gor Mahian gjatë gjithë karrierës, sepse ka luajtur që i vogël në këtë klub dhe ka fituar 4 tituj kampionë, tre prej tyre si kapiten. Ai u përzgjodh si mbrojtësi i vitit nga Shoqata e Gazetarëve në Kenia në fund të sezonit të shkuar, ndërsa kishte përfunduar i dyti në dy sezonet paraardhës. Mohamed është gjithashtu pjesë e kombëtares, duke qenë kapiten gjatë CECAFA Senior Challenge Cup.

E SHKUARA – Mohamed dhe Muguna kanë një mision aspak të lehtë, sepse më parë te Tirana kanë dështuar kenianët Mouzes Arita dhe Xhejms Situma, duke u kthyer shumë shpejt në shtëpi. “Nuk na shqetëson shumë kjo gjë. Ne do të punojmë shumë dhe ai është synimi, e shkuara mbetet e shkuar. Tani duam të ndihmojmë Tiranën të ngjitet në Superiore dhe më pas do të kemi synime edhe më madhore”, thotë Mohamed.

Kenet Muguna, 21 vjeç, duke festuar një gol

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.