Ekipi i Leisterit kaloi një nga javët më të vështira, si pasojë e vdekjes së presidentit, Vichai Srivaddhanaprabha, i cili humbi jetën fundjavën e kaluar. Ekipi i “dhelprave” arriti të fitojë në transfertë kundër Kardifit me golin e Demarai Grei në minutën e 55. Ky trepikësh shkon për tajlandezin, i cili do jetë duke festuar nga lart. Vardi me shokë do të nisen direkt pas ndeshjes për në Tajlandë për të marrë pjesë në funeralin e ish-presidentit.
Fitore e rëndësishme për Evertonin, që mposhti Brajtonin në shtëpi me rezultatin 3-1. Braziliani Riçarlison ishte heroi i takimit me një dygolësh, ndërsa kapiteni Koleman ishte autori i golit tjetër. Miqtë barazuan rezultatin përkohësisht me mbrojtësin Dunk, por pa arritur të marrin pikë nga kjo ndeshje.
Më në fund Njukasëlli. “Qymyrxhinjtë” arritën fitoren e parë këtë sezon, duke mposhtur Uotfordin me rezultatin 1-0. Spanjolli Perez ishte heroi i ekipit të Benitez me golin e shënuar në minutën e 65, që i dhuroi tre pikë të arta ekipit vendas.
Emocione dhe gola dhe në ndeshjen mes Uest Hemit dhe Bërnleit. Djemtë e Pelegrinit fituan me rezultatin 4-2 me dygolëshin e Felipe Anderson dhe golat e Arnautoviç dhe Çiçaritos. Miqtë barazuan dy herë rezultatin me anë të islandezit Gudmundson në fundin e pjesës së parë dhe sulmuesit nga Zelanda e Re, Kris Vud. Megjithatë, braziliani Anderson shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin gjashtë minuta përpara fundit të ndeshjes, përpara se meksikani Çiçarito të vuloste fitoren e Uest Hemit me golin e shënuar në minutën e tretë shtesë të takimit.
Kardif – Leister 0-1
(Grei 55’)
Everton – Brajton 3-1
(Riçarlison 26’, 78’, Koleman 50’ / Dunk 34’)
Njukasëll – Uotford 1-0
(Perez 65’)
Uest Hem – Bërnlei 4-2
(Arnautoviç 11’, Anderson 68’, 84’, Çiçarito 93’ / Gudmundson 45’, Vud 77’)